Shtrenjtimi i rrymës në Kosovë – sa do të paguajnë qytetarët që harxhojnë më shumë se 800kWh?

Energjia elektrike

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë ata që harxhojnë më shumë se 800kWh.

Sipas ZRrE-së, të gjithë konsumatorët që shpenzojmë më shumë se kjo bllok tarifë do të paguajnë me dy çmime të reja.

“Vendosja e bllok tarifave nuk është diskriminues. Disa nga komentet kanë qenë se a duhet të jetë rritje lineare. ZRrE-ja konstaton se pa një mbështetje nuk mund t’i arrij synimet. ZRrE propozon që blloku të zhvendoset në 800kWh, me dy tarifa prej 12.5 cent dhe 5.9 cent. Të gjithë konsumatorët komercial dhe të amvisëritë, ZRrE-ja propozon që për 800kWh të ketë zero rritje”, është thënë nga Departamenti i Tarifave të ZRrE-së, shkruan Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Pra, konsumatorët mbi këtë bllok do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent dhe 5.9 cent për tarifën e ulët, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800kWh, tarifa e lartë do të jetë 6.75 cent e ajo e ulëta prej 2.89 cent.

Pas vendimit të ri të Bordit të ZRrE-së del se tash konsumatorët që harxhojnë mbi këtë nivel, sipas tarifës së ulët, do të paguajnë 104 për qind më shumë, kurse me tarifën e lartë do të paguajnë 85 për qind.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.

Në lidhje me shtrenjtimin e tarifave të rrymës, komente në ZRrE kanë dërguar Presidenca e Kosovës, Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kujtojmë se ZRrE-ja në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë, duke thënë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600kWh energji elektrike në muaj.