Mbi 12 mijë kosovarë aplikuan për viza në Ambasadën e Zvicrës për tre muaj

Ndërtesa e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë

Mbi 12 mijë kosovarë, kanë aplikuar për viza në Ambasadën e Zvicrës në periudhën tetor-dhjetor 2021.

Nga kjo ambasadë kanë konfirmuar se kanë aplikuar saktësisht 12 mijë e 119 kosovarë dhe kanë treguar edhe kategorinë e aplikuesve dhe ndarjen me numër sipas aplikuesve.

“Gjatë periudhës tetor – dhjetor 2021, Ambasada e Zvicrës në Prishtinë, e cila përfaqëson Zvicrën, Belgjikën, Francën, Austrinë, Holandën, Luksemburgun në çështjet e vizave C, i ka lëshuar 11 mijë e 474 viza dhe 644 viza kombëtare D”, thuhet në përgjigjen për Klan Kosovën.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, 105,601 qytetarë të Kosovës vetëm në dhjetor 2021 e janar 2022 kanë aplikuar poashtu për vizë pune në Ambasadën e Gjermanisë.

Nga kjo ambasadë kanë thënë se për shkak të kërkesës së madhe për terminë për viza me qëllim fillimin e punësimit sipas rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila i tejkalon dukshëm terminet që janë në dispozicion dhe për të siguruar mundësi të barabarta gjatë aplikimit për një termin, që nga dhjetori i vitit 2021 këta terminë ndahen çdo muaj nëpërmjet një procedure të shortit.