Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) përmes një njoftimi ka treguar se këtë vit do të rriten subvencionet e shumicës së kulturave bujqësore, mirëpo rritjen më të madhe të subvencionimit pritet ta kenë kultivuesit e perimeve.
Sipas ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, duke parë potencialin për zhvillimin e mëtutjeshëm të perimtarisë dhe duke krahasuar me importet e prodhimeve bujqësore që hyjnë në Kosovë çdo vit, këtë vit kultivuesit e perimeve do të subvencionohen me 100%.
“Këtë vit do të ketë rritje të mbështetjes përmes subvencioneve për shumicën e kulturave bujqësore, mirëpo rritjen më të madhe do ta kenë kultivuesit e perimeve me 100% nga sa ishte vlera e subvencionimit kur morëm nën udhëheqje Ministrinë e Bujqësisë, duke parë potencialin për zhvillimin e mëtutjeshëm të perimtarisë dhe duke krahasuar me importet e prodhimeve bujqësore që hyjnë në Kosovë çdo vit”, citohet të ketë thënë ministri Peci gjatë një takimi me një perimtar nga komuna e Podujevës ditën e djeshme.
Ministri Peci dje gjatë kësaj vizite tha se Ministria e Bujqësisë është në prag të finalizimit të Programit për Pagesa Direkte dhe Subvencione për vitin 2022 dhe Programit për Zhvillim Rural – Grante, grante këto që janë planifikuar të aprovohen gjatë muajit Mars të këtij viti, që siç tha edhe ministri, përmes politikave mbështetëse dhe masave përkatëse po synohet të mundësohet ngritja e pikave të reja grumbulluese, si dhe ngritja e kapaciteteve të tyre.
Gjithashtu, kjo ministri dje u zotua edhe për subvencionimin deri në 75 për qind të vlerës së Primit të Sigurimit, subvencion ky që është paraparë të bëhet për pemishtet dhe disa kultura tjera bujqësore, si: për kulturën e mollës, qershisë, misrit, fasules, dardhës, specit, kumbullës, mjedrës, vishnjes, dredhëzës, arrës, rrushit, si dhe për primin e sigurimit “tradicional” bujqësor tek kultura e mollës – pemishte intensive, specit – kultivimi intensiv dhe rrushit të verës.
Ministri iu drejtua bujqve se nuk do të presin më për kompensim siç kanë pritur rëndom, por do paguajnë vetëm pjesën e tyre pasi që MBPZhR-ja do të kryejë pagesën drejtpërdrejt me kompanitë e sigurimit. /Buletini Ekonomik/