Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003, fillimisht nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), kurse nga viti 2008 është pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Në Kosovë, nga 3,951 asete të identifikuara, deri në vitin e kaluar janë privatizuar 2,065, ndërsa të paprivatizuara kanë mbetur edhe 1,886. Këto prona, në 116 valë të privatizimit, janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë eurosh.
Gjatë këtij procesi janë shitur ndërmarrje, lokale, toka bujqësore, industriale dhe ndërtimore.
Ndërmarrjet shoqërore në Kosovë janë shitur përmes metodës së quajtur spin-off i rregullt, që lejon ndryshimin e destinimit të ndërmarrjes. Kurse, ndërmarrjet që janë konsideruar të mëdha, janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes. /Buletini Ekonomik/











