Pse viti 2022 do të jetë i rëndësishëm për veprimet për klimën?

10 ngjarje që do të zhvillohen përgjatë vitit

Ndërsa bota po ecën me shpejtësi në garën e saj kundër ndryshimeve klimatike dhe po shkon përpara drejt Konferencës së Ndryshimeve Klimatike në Glasgou 2021, le të shohim dhjetë ngjarje kryesore globale gjatë 2022-it që do të formësojnë bisedat e rëndësishme dhe do të ndikojnë në vendimet e politikave publike rreth njërës prej çështjeve më përcaktuese të kohës tonë.

(Për t’u vendosur) | Konferenca e 5-të e Kombeve të Bashkuara për Vendet më Pak të Zhvilluara (VPZH5) | Doha, Qatar

Reklama e sponzorizuar

Janë 46-të vende që vlerësohen si Vende më Pak të Zhvilluara (VPZH), që shtrihen nga Afganistani deri në Zambia. Këto vende janë shtëpia e rreth 13-të përqind të popullsisë së botës dhe e 40-të përqind të njerëzve më të varfër. Ato janë shumë të rrezikuara nga goditje të panumërta – nga ekonomia, shëndeti publik deri te ndryshimet klimatike. Ato mbeten në ballë të krizës klimatike dhe preken në mënyrë shpërpjestimore nga ngjarjet ekstreme të motit. Dhe për fat të keq, atyre u mungon financimi kryesor për të mbështetur masa dhe infrastrukturë të qëndrueshme ndaj klimës.

VPZH5, një konferencë që mbahet çdo 10-të vite – do të përfshijë një tryezë tematike të nivelit të lartë mbi ndryshimet klimatike, për diskutimin e çështjeve unike urgjente që ndeshin Vendet më Pak të Zhvilluara dhe mbështetjen e nevojshme që u duhet për të siguruar se rritja ekonomike aq e nevojshme të mos bëhet në kurriz të ekosistemeve të tyre tashmë të brishta dhe burimeve natyrore në pakësim.

Shkurt – Shtator | Raporti i Vlerësimit Global i PNNK

Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (PNNK) që boton vlerësimet e shkencës klimatike çdo gjashtë deri në shtatë vjet, do të nxjerrë raportin e plotë të parë të tij që prej miratimit të Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015-të.

Raporti i Gjashtë i Vlerësimit i PNNK-së (R6V) do të përfshijë kontributet nga tre grupe pune të udhëhequra nga disa prej shkencëtarëve kryesorë në botë, mbi të kuptuarin fizik të sistemit klimatik dhe ndryshimet klimatike [Grupi i Punës I – botuar në gusht 2021]; ndikimet e ndryshimeve klimatike [Grupi i Punës II]; dhe përparimin e zbutjes dhe përpjekjet për të kufizuar emetimet e gazrave [Grupi i Punës III].

Fundi i Shkurtit |Raporti i Grupit të II-të të Punës| Ndikimet, Përshtatja dhe Dobësitë

Ky raport do të përmbledhë ndikimet e ndryshimeve klimatike në sistemet njerëzore dhe natyrore, duke vëzhguar dobësitë, aftësinë dhe kufizimet e tyre për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike. Raporti do të japë mundësitë për krijimin e një të ardhmeje të qëndrueshme përmes një qasjeje të barabartë dhe të integruar ndaj përpjekjeve për zbutjen dhe përshtatjen në të gjitha nivelet.

Fillim i Prillit | Raporti i Grupit të III-të të Punës | Zbutja e Ndryshimeve Klimatike

Ky raport do të fokusohet në përpjekjet globale dhe kombëtare për të zbutur ndikimet e ndryshme shkatërruese dhe të ndryshimeve klimatike, duke parë novacionin dhe zgjidhjet në sistemet e energjisë dhe ato urbane, dhe në sektorë të tillë si bujqësia, pylltaria dhe përdorimi i tokës, ndërtesat, transporti dhe industria. Raporti do të shikojë lidhjen midis planeve afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për të kufizuar emetimet, duke theksuar rëndësinë e planeve kombëtare të veprimit të qeverive, dhe kontributet e përcaktuara në nivel kombëtar (KPNK-të) sipas Marrëveshjes së Parisit.

Shtator | Raporti Përmbledhës | Ndryshimet Klimatike në vitin 2022

Së fundi, raporti Përmbledhës, i cili do të integrojë kontributet nga të tre Grupet e Punës si dhe nga Raportet e Posaçme të përgatitura përgjatë ciklit – Ngrohja Globale me 1.5°CNdryshimet klimatike dhe toka; dhe Oqeani dhe Kriosfera në një klimë të ndryshueshme – do të shpallen përpara COP27.

28 Shkurt – 3 Mars | Java kushtuar Klimës gjatë vitit 2022 në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore | Dubai EBA

Java e parë kushtuar ndonjëherë klimës në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, e organizuar nga Konventa e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), shënon një moment historik të rëndësishëm në rrugën drejt COP27 që do të zhvillohet në Egjipt në muajin Nëntor.

E organizuar nga Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të tjera shumëpalëshe dhe kombëtare, java kushtuar klimës do të fokusohet në veprimin rajonal për klimën dhe bashkëpunimet e nevojshme për të ndërtuar ekonomi dhe shoqëri elastike ndaj ndryshimeve të klimës dhe për të integruar veprimet klimatike në rimëkëmbjen prej pandemisë.

Ngjarjet kryesore do të zhvillohen në Qendrën e Ekspozimit në Dubai, në të cilën po mbahet Expo 2020.

25 Prill – 8 Maj | Konferenca e OKB-së për Biodiversitetin (Pjesa e Dytë) | Kunming, Kinë

Konferenca e OKB-së për Biodiversitetin, e cila pritej të mbahej në vitin 2020 në Kinë, tani është ndarë në dy pjesë. Në tetor 2021, pjesa e parë ndihmoi në përcaktimin e skenarit për takimin e radhës në pranverën e vitit 2022, me miratimin e Deklaratës së Kunming-ut, e cila u bën thirrje vendeve të negociojnë dhe të bien dakord për një kornizë globale për biodiversitetin dhe krijimin e Fondit të Biodiversitetit të Kunming-ut i cili u mbështet nga Kina, Franca, Bashkimi Evropian, Japonia dhe të tjerë.

Pjesa e dytë, e cila pritet të rifillojë me seanca me pjesëmarrje në person, do të shënojë një moment madhor për biodiversitetin global me miratimin e kornizës që do të ripërcaktojë marrëdhënien tonë me mjedisin natyror. Ai do të përfshijë 21 objektiva dhe 10-të “piketa” që do të arrihen deri në vitin 2030, me përmirësime fikse deri në vitin 2050 – duke përfshirë ruajtjen dhe mbrojtjen e të paktën 30 përqind të steres dhe oqeaneve të planetit.

Vendet kishin kohë deri në vitin 2020 për të arritur objektivat e përfshirë në kornizën e fundit, të njohur si Objektivat Aichi të Biodiversitetit. Pavarësisht disa përparimeve, objektivat – të cilat variojnë nga ndalimi i specieve nga zhdukja deri te prerja e ndotjes dhe ruajtja e pyjeve – nuk u arritën. Kuadri pas vitit 2020 do të jetë tepër i rëndësishëm në zgjidhjen e çështjes së rënies së vazhdueshme të biodiversitetit.

2 – 6 Maj | Kongresi i XV-të Botëror për Pyjet në vitin 2022 | Seul, Republika e Koresë

Zhdukja e emetimeve si rezultat i shpyllëzimit dhe nxitja e ripërtëritjes së pyjeve dhe rigjallërimi i peizazhit mund të zvogëlojë nivelin e emetimeve globale neto deri në 30 përqind. Gjatë dekadës së ardhshme, pyjet mund të sjellin deri në 50 përqind të zbutjes me kosto efektive në dispozicion.

Zhvilluar nën temën, Ndërtimi i Një të Ardhmeje të Gjelbër, të Shëndetshme dhe Elastike me PyjetKongresi Botëror i Pyjeve do të fokusohet në gjashtë nën-tema, duke përfshirë kthimin e humbjes së pyjeve, përdorimin e qëndrueshëm të zgjidhjeve të bazuara tek natyra dhe burimet pyjore, dhe monitorimin e pyjeve dhe mbledhjen e të dhënave për këtë qëllim.

9 – 21 Maj | Konferenca e 15-të e Kombeve të Bashkuara për Shkretëtirëzimin | Bregu i Fildishtë

Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike paralajmëroi në vitin 2019 se rreth 500 milionë njerëz jetojnë në zona që përjetojnë shkretëtirëzimin. Kur toka degradon, niveli i prodhimtarisë së saj ulet, duke kufizuar produktet që mund të rriten dhe ulur aftësinë e tokës për të përthithur karbonin. Kjo përkeqëson ndryshimet klimatike dhe ngjarjet ekstreme të motit si thatësirën, valët e të nxehtit dhe stuhitë e pluhurit, ndërsa ndryshimi i klimës nga ana e tij përkeqëson degradimin e tokës në mënyra të ndryshme.

Konferenca e ardhshme mbi Shkretëtirëzimin do të jetë një thirrje urgjente për të rritur shkallën e restaurimit të tokës, si dhe zgjidhjet e bazuara në natyrë për veprimin klimatik.

2 – 3 Qershor | Stokholm +50 | Suedi

Pesëdhjetë vjet më parë, konferenca e parë botërore mbi mjedisin luajti një rol të rëndësishëm në sjelljen e vëmendjes drejt qëllimeve të pandashme të zbutjes së varfërisë dhe mbrojtjes së mjedisit – një lidhje që ka ndikuar që atëherë në debatet për klimën, duke vlerësuar ndërlidhjet midis njerëzve dhe natyrës.

Rrjedhimisht, konferenca i dha jetë diplomacisë mjedisore – në një përpjekje për të pajtuar zhvillimin ekonomik me menaxhimin e mjedisit, duke i shtruar rrugën krijimit të Programit të OKB-së për Mjedisin (UNEP) dhe konceptit të zhvillimit të qëndrueshëm. Një rezultat tjetër i konferencës po ashtu ishte formimi i ministrive kombëtare të mjedisit dhe një sërë marrëveshjesh të reja globale për mbrojtjen e mjedisit.

Sot, ndërsa UNEP shënon pesë dekada të punës së tij për të forcuar diplomacinë mjedisore, standardet dhe praktikat, së bashku me Suedinë dhe Kenian do të mbajnë Stokholm+50, për të ripërtëritur përkushtimin dhe forcuar aftësinë tonë për kapërcimin e krizës së trefishtë planetare të ndryshimit të klimës, natyrës dhe humbjes së biodiversitetit, ndotjes dhe mbetjeve.

26 – 30 Qershor | Forumi Botëror Urban i 11-të | Katovicë, Poloni

Qytetet anembanë globit po përballen – dhe po luftojnë – me ndryshimet klimatike. Shtëpia e 4.5 miliardë njerëzve sot, qytetet parashikohet të rriten me pothuajse 50 përqind deri në vitin 2050. Ata janë motorë të rritjes dhe novacionit, duke gjeneruar 80 përqind të PBB-së botërore së bashku me 70 përqind të emetimeve globale të karbonit. Në vitet e fundit, qytetet duke qenë epiqendra e rritjes, kanë luftuar për t’iu përgjigjur pandemisë COVID-19 dhe për t’u përgatitur për ndikimin përkeqësues të ndryshimeve klimatike.

Deri në vitin 2050, 800 milionë njerëz në 570 qytete bregdetare mund të shohin një rritje të nivelit të detit prej gjysëm metri dhe intensifikimin e stuhive. Ngrohja globale mund të lërë më shumë se 1.6 miliardë banorë të zonave urbane të përballen me një temperaturë mesatare gjatë verës prej 35°C. Pavarësisht sfidave në rritje, qytetet kanë qenë gjithashtu në vijën e parë të lëvizjes klimatike dhe së fundmi, më shumë se 1,000 qytete njoftuan synimin e tyre për të arritur emetimet neto zero të gazrave serrë deri në vitin 2050.

Organizuar nën temën “Transformimi i qyteteve tona për një të ardhme më të mirë urbane“, Forumi i ardhshëm Botëror Urban do të jetë një mundësi për të parë të ardhmen e qyteteve bazuar në prirjet, sfidat dhe mundësitë ekzistuese, si dhe mënyrën si ata mund të përgatiten më mirë për të përballuar goditjet e tashme dhe të ardhshme.

27 Qershor – 1 Korrik | Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Oqeanin | Lisbonë, Portugali

Oqeani është aleati ynë më i madh në përpjekjet për të zgjidhur çështjen e urgjencës së klimës. Ai gjeneron 50 përqind të oksigjenit që na nevojitet dhe përthith 25 përqind të të gjitha emetimeve të dioksidit të karbonit. Nuk është vetëm “mushkëritë e planetit”, por edhe lavamani më i madh i karbonit – një mbrojtës jetik ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike.

Por oqeani është në vështirësi – nga ndikimet e ndryshimeve klimatike, ndotja, humbja e habitatit natyror dhe aktivitete të tjera shkatërruese njerëzore. Konferenca e ardhshme për Oqeanin, e cila ishte planifikuar të mbahej në vitin 2020, do të jetë hera e dytë që Kombet e Bashkuara thërrasin një takim të nivelit të lartë për këtë çështje.

Organizuar me mbështetjen e qeverive të Portugalisë dhe Kenias, konferenca do të jetë një thirrje për veprim për oqeanin – duke u kërkuar liderëve botërorë dhe të gjithë sektorëve përkatës të shtojnë ambicien, të mobilizojnë partneritetet dhe të shtojnë investimet tek qasjet inovative dhe të drejtuara nga shkenca për të çbërë uljen e shëndetit të oqeanit.

Po ashtu, do të jetë thirrje e qartë për komunitetet, bizneset dhe individët që të luajnë rolin e tyre në ndalimin e ndotjes detare dhe për t’u përkushtuar ndaj konsumit të përgjegjshëm të burimeve të oqeanit.

7 – 18 Nëntor | Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP 27) | Sharm El-Sheik, Egjipt

Konferenca vjetore e OKB-së për ndryshimet klimatike pritet të mbahet në Sharm El-Sheik të Egjiptit në vitin 2022. Ajo do të çojë përpara bisedimet globale për klimën, do të mobilizojë veprimin dhe do të ofrojë një mundësi të rëndësishme për të parë ndikimet e ndryshimeve klimatike në Afrikë.

Një raport i sapo botuar nga Organizata Botërore Meteorologjike dhe partnerët, Gjendja e Klimës në Afrikë 2020, paralajmëroi për rreziqet shpërpjestimore të kontinentit, duke vlerësuar se deri në vitin 2030, deri në 118 milionë afrikanë jashtëzakonisht të varfër do të ekspozohen ndaj thatësirës, ​​përmbytjeve dhe nxehtësisë ekstreme. Nga ana tjetër kjo do të ndikojë në përparimin drejt zbutjes së varfërisë dhe rritjes ekonomike, duke lënë më shumë njerëz të mbërthyer nga rrënjë e thella të varfërisë.

Raporti vlerëson se investimi në përshtatjen klimatike për Afrikën nën-sahariane do të kushtonte nga 30 deri në 50 miliardë dollarë çdo vit gjatë dekadës së ardhshme, ose afërsisht dy deri në tre përqind të PBB-së – mjaftueshëm për të ndezur mundësitë e punësimit dhe zhvillimin ekonomik duke i dhënë përparësi një të rimëkëmbje të qëndrueshme të gjelbër.