Qeveria vazhdon masat emergjente për energjinë edhe për 30 ditë

Gjatë mbledhjes së sotme të Qeversë së Kosovës është marrë vendimi për zgjatjen e masave emergjente për furnizimin me energji elektrike edhe për 30 ditë të tjera.

Ky propozim ka ardhur nga Ministria e Ekonomisë, pasi sipas saj, ndonëse gjendja është përmirësuar kohëve të fundit, për shkak të furnizimit të sigurtë me energji, këto masa duhet të vazhdohen edhe për një muaj.

Reklama e sponzorizuar

Disa prej masave emergjente për energjinë elektrike të miratuara nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës në muajin dhjetor 2021, ishin që të ndalohet mihja e kriptovalutave, të bëhet vendosja e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosja e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë, përcjell Buletini Ekonomik.

Përmes këtij vendimi, ishte vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë – Komitet ky që tashmë përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i cili ka për qëllim që të identifikojë dhe paraqesë rekomandime për masat kufizuese për ministren e Ekonomisëm, Artane Rizvanollin.

Masa të tjera kufizuese nga shpallja e gjendjes emeregjente me energji, ishin kufizimet mbi aktivitetet komerciale që kanë të bëjnë me burime të caktuara të energjisë, vendosja e kushteve të veçanta komerciale, kufizimi i tregtimit të energjisë ose vendosja e kushteve të veçanta për tregtim, detyrimi për prodhim të energjisë që do të ndodhë në objekte të saktësuara të prodhimit dhe vendosja e detyrimeve për furnizim me energji për konsumatorë të caktuar vetëm në pajtim me kriteret e parapërcaktuara dhe objektivat e sajuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe të miriratuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë./Buletini Ekonomik/