SHBA planifikon të ndërpresë lidhjet me bankat e targetuara ruse nëse Ukraina pushtohet

Washington DC Capitol dome detail with waving american flag

Administrata e Presidentit Joe Biden ka përgatitur një paketë fillestare me sanksione kundër Rusisë, të cilat përfshijnë ndalimin e përpunimit të transaksioneve për bankat kryesore ruse nga ana e institucioneve financiare amerikane, sipas tre personave me dijeni për këtë çështje.

Këto masa, të cilat do të hynin në fuqi vetëm nëse Rusia pushton Ukrainën, synojnë të dëmtojnë ekonominë ruse duke ndërprerë marrëdhëniet bankare “korrespondente” midis bankave të targetuara ruse dhe bankave amerikane që mundësojnë kryerjen e pagesave ndërkombëtare.

Megjithëse autoritetet amerikane kanë thënë se kufizimet bankare do të ishin pjesë e një pakete sanksionesh të mundshme, plani i administratës për të ndërprerë lidhjet me bankat korrespondente – të cilat mundësojnë flukset globale të parave – nuk ishte raportuar ndonjëherë më parë.

Reklama e sponzorizuar

Shtetet e Bashkuara do të përdorin gjithashtu mjetin e tyre më të fuqishëm të sanksioneve kundër disa individëve dhe kompanive ruse, duke i vendosur ata në listën e Shtetasve të Përcaktuar Posaҫërisht (SDN). Ky përcaktim do t’i përjashtonte ata nga sistemi bankar amerikan, duke ndaluar tregtinë e tyre me shtetasit amerikan dhe duke ngrirë asetet e tyre në Amerikë.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Thesarit nuk dhanë komente mbi këto pretendime.

Burimet thanë se paketa mund të ndryshojë deri në momentin e fundit, ndërsa ishte e paqartë se cilat do të ishin shënjestrat e këtyre sanksioneve. Megjithatë, ata besojnë se institucionet kryesore financiare ruse, duke përfshirë VTB Bank, Sberbank, VEB dhe Gazprombank janë disa nga shënjestrat e mundshme.

Ekspertët e konsultuar nga Reuters thanë se, megjithëse sanksioni i bankave korrespondente nuk është aq i rëndë sa përcaktimi SDN, i cili ngrin aktivet e një banke, kjo masë mund t’i japë një goditje domethënëse bankave të targetuara duke ia vështirësuar atyre transaksionet në dollarë amerikanë, monedhën e rezervave globale.

Pjesa më e madhe e tregtisë globale bëhet në dollarë.

Është e paqartë nëse bankat ruse do të shtohen në listën SDN, por të dyja këto sanksione do të godisnin rëndë Rusinë.

“Meqenëse një numër i konsiderueshëm i transaksioneve të tregtisë globale bëhen në dollarë amerikanë, ky është një sanksion i rëndë, pa llogaritur përshkallëzimin e ndërlikuar dhe shkatërrues të futjes në listën SDN dhe të ngrirjes së të gjitha pasurive në SHBA ose në duart e personave amerikanë”, tha avokati në Uashington, Kay Georgi, i specializuar në tregtinë ndërkombëtare.

Burimet theksuan se administrata mund të përjashtonte disa transaksione nga këto kufizime, nëse do të ishte e nevojshme.

Kostot paraprake

Administrata Biden ka kërcënuar me sanksione të ashpra bankare kundër Rusisë për javë të tëra, në një përpjekje për të penguar presidentin rus Vladimir Putin që të pushtojë Ukrainën. Moska ka grumbulluar mbi 150,000 trupa në kufijtë e Ukrainës, por Putin ka mohuar planet për të nisur një sulm.

Peter Harrell, anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tha muajin e kaluar se “sanksionet e rënda financiare” ishin pjesë e një strategjie për të dëmtuar ekonominë e Rusisë, por për të mos ndikuar qytetarët e saj.

“Qëllimi i sanksioneve financiare është që të kenë kosto fillestare afatshkurtër për Rusinë, të nxisin largimin e kapitalit, të shkaktojnë inflacion, të detyrojnë bankën qendrore ruse që të ofrojë ndihmë financiare për bankat në prag kolapsi”, tha ai në një fjalim në fund të muajit të kaluar.

Paralajmërimet e ashpra kanë shqetësuar disa firma financiare amerikane. Anëtarët e industrisë së shërbimeve financiare dhe të pagesave kanë qenë në kontakt ditët e fundit me Zyrën e Kontrollit të Pasurive të Huaja në Departamentin e Thesarit të SHBA-së, e cila administron këto sanksione, thanë burimet.

Tensionet u rritën gjatë fundjavës, teksa Rusia zgjati stërvitjet e saj ushtarake në Bjellorusi, duke shtuar shqetësimet te fuqitë perëndimore për një pushtim të afërt të Ukrainës.

Biden dhe Putin ranë dakord në parim ditën e dielën për një samit, tha Franca, duke dhënë kështu shpresë se konflikti mund të shmanget.

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të ndërpresin aksesin e kompanive ruse te dollari amerikanë dhe paundi britanik, nëse Kremlini urdhëron pushtimin e Ukrainës.

Administrata Biden ka qenë po aq agresive në retorikën e saj. Në një konferencë të premten, zëvendës këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Daleep Singh, u tha gazetarëve se kostoja për Rusinë nga ky pushtim do të ishte “tepër e madhe, si për ekonominë e saj, ashtu edhe për pozicionin e saj strategjik në botë”./ Reuters/Monitor/