Sveçla: Informatat e publikuara rreth ligjit për pagat e zyrtarëve publikë, janë të pavërteta.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se informatat e publikuara rreth ligjit për pagat e zyrtarëve publikë, janë të pavërteta.

Ai ka thënë se vlera e koeficientit nuk do të jetë as pjesë e ligjit.

“Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të informojë qytetarët se vala e pseudolajmeve që po përhapen me shpejtësi në mediat tona rreth ligjit për pagat e zyrtarëve publik është e pavërtetë dhe qëllimkeqe. As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka thënë se këto informata kanë pasur qëllim dezinformimin.

“Kjo valë e dezinformatave ka për qëllim krijimin e konfuzionit dhe krijimin artificial të pritjeve me idenë se këto pritje pastaj shumë lehtë mund të keqpërdoren për nxitje të pakënaqësive dhe ngritje të debateve të kota krahasuese”.