Kosova ka shënuar përparim në zhvillimin e politikave industriale të gjelbra dhe tranzicionit energjetik, megjithatë ritmi aktual mbetet i pamjaftueshëm për të arritur objektivat strategjike të vendosura për vitet 2030 dhe 2031. Kështu kontatohet në raportin “Politikat industriale të gjelbra” nga Instituti GAP, i cili analizon progresin dhe sfidat në sektorin e energjisë dhe dekarbonizimit.
Sipas GAP-it, vendi vazhdon të jetë shumë i varur nga prodhimi i energjisë elektrike me bazë linjitin, ndërkohë që infrastruktura e vjetruar e dy termocentraleve kryesore krijon rreziqe për furnizim adekuat me energji, siguri energjetike, dëmtim të mjedisit përmes emetimeve të gazrave serrë, probleme të shëndetit publik për shkak të ndotjes së ajrit, si dhe sfida në kuptim të përmbushjes së politikave klimatike të Bashkimit Evropian.
Nga ky instituti thonë se përkundër zgjerimit të kapaciteteve të energjisë nga burimet e ripërtëritshme gjatë viteve të fundit, kryesisht përmes energjisë së erës, hidrocentraleve dhe investimeve të kohëve të fundit në energji diellore, ritmi i shfrytëzimit të tyre ngelet i pamjaftueshëm në raport me objektivat energjetike dhe klimatike të Kosovës për vitet 2030 dhe 2050. Si rrjedhojë, kjo krijon rreziqe të drejtpërdrejta për sigurinë energjetike, cilësinë e mjedisit, shëndetin publik, konkurrueshmërinë industriale dhe përafrimin me
kornizat e Bashkimit Evropian për klimën dhe energjinë.
Sipas raportit, ndonëse janë rritur gradualisht kapacitetet e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, Kosova vazhdon të mbetet prapa vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Një nga zhvillimet më të rëndësishme që cek GAP, ishte përfundimi i ankandit të parë konkurrues për ndërtimin e një parku solar me kapacitet prej 100 megavatësh, por ndërtimi i tij ende nuk ka nisur për shkak të vonesave administrative dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet investitorëve. Paralelisht, janë duke u zhvilluar procedurat për ankandin e një parku të ri me erë prej 100 megavatësh.
Raporti evidenton gjithashtu përparim në fushën e efiçiencës së energjisë. Përmes programeve të subvencionimit dhe investimeve të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, GAP thotë se mijëra familje dhe objekte publike kanë përmirësuar performancën energjetike. Megjithatë, kursimet e arritura mbeten shumë larg objektivit strategjik, duke nënvizuar nevojën për investime dukshëm më të mëdha, veçanërisht në sektorin e banimit.
Një projekt tjetër që përmendet në raport si projekt kyç, është ndërtimi i sistemeve të akumulimit të energjisë përmes baterive, i financuar nga Millennium Challenge Corporation (MCC), i cili ndodhet ende në fazën administrative. Ndërkohë, projekti për zgjerimin e ngrohjes qendrore përmes kogjenerimit nuk ka filluar ende, pavarësisht se është pjesë e objektivave afatgjata të strategjisë energjetike.
GAP nënvizon se një nga sfidat më të mëdha të Kosovës mbetet mungesa e progresit në vendosjen e mekanizmit për tarifimin e emetimeve të karbonit, një reformë e rëndësishme për harmonizimin me politikat klimatike të Bashkimit Evropian dhe për përgatitjen e ekonomisë vendore ndaj Mekanizmit të Rregullimit të Karbonit në Kufi (CBAM).
Në Draft Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë 2025–2030, Kosova synon që deri në vitin 2030 energjia e ripërtëritshme të përbëjë 32% të konsumit final bruto të energjisë, ndërsa kapaciteti i instaluar nga burimet e ripërtëritshme të arrijë në rreth 1,400 megavat. Po ashtu, plani parasheh uljen e emetimeve të gazrave serrë me 16.3% dhe rritjen e masave për efiçiencë energjetike.
Raporti i GAP-it, vlerëson se, megjithëse Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në kuadër të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, përshpejtimi i investimeve, miratimi i reformave të nevojshme dhe zbatimi më efikas i projekteve energjetike do të jenë vendimtarë për përmbushjen e objektivave klimatike dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit. /Buletini Ekonomik/









