Fondi mbi 200 milionë dollarësh nga MCC do të orientohet tek bateritë me kapacitet mbi 200MWh

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar nisma për negocim të Programit Kompakt në bashkëpunim me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Programi Kompakt nga ky fondacion, ka vlerë prej 234 milionë dollarësh dhe sipas njoftimit të ministrisë, do të përdoren për Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet të lartë mbi 200MWh), si dhe në zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektor të energjisë.

Sipas Rizvanollit, ky program adreson furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike, modernizimin e kapaciteteve tona, si dhe edukimin e fuqisë punëtore në teknologji. Gjithashtu, me anë të këtij programi pritet që të lehtësohet edhe tranzicioni i gjelbër energjetik i Kosovës, duke ia siguruar vendit pavarësinë energjetike.

Reklama e sponzorizuar

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë. Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe shpenzimit.

Nga Ministria e Ekonomisë thonë se bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, dhe shfrytëzimit të saj kur konsumi është i lartë. Tutje, bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë edhe me burime solare, të erës, apo të ngjashme, gjë që do ta përshpejtojë kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.

Ndërsa, projekti i dytë përfshinë dy aktivitete:

1. Zhvillimi i fuqisë punëtore energjetike për të ardhmen, që synon të krijojë një program të studimit që do të zhvillojë aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë, kështu duke e mbështetur edhe investimin me MCC; dhe 2. Fuqi punëtore gjithëpërfshirëse në sektor të energjisë, do të synojë përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve, siç janë bursat për studime universitare në fushën e energjisë, të dedikuara për gra, mbështetje e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji, rritja e ndërmarrësisë së grave dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.

“Investimet e Programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe gjatë përfundimit të fazës zhvillimore dhe negociatat me partnerët tanë nga MCC, do të njoftojmë publikun për zhvillimet dhe detajet përfundimtarë të projektit”, thuhet tutje në komunikatën e ME-së./Buletini Ekonomik/