Shqipëria dyfishon eksportet në Kosovë, shifrat e tregtisë së jashtme për 2 muajt e parë të vitit

Shqipëria ka dyfishuar eksportet në Kosovë në dy muajt e parë të vitit. Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme, rezulton se Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë 6.1 miliardë lekë, duke njohur një rritje me më shumë se 2.6 miliardë lekë, krahasuar me dy muajt e parë të vitit të kaluar.

Sa i përket importeve, edhe ato janë me rritje por jo me të njëjtin nivel. Në janar-shkurt 2022 Shqipëria importoi nga Kosova mallra me vlerë rreth 2 miliardë lekë, duke njohur një rritje me rreth 800 milionë lekë, krahasuar me të njëjtën periduhë të një viti më parë.

Çfarë eksportoi më shumë Shqipëria në Kosovë?

Reklama e sponzorizuar

Ndikimin më të madh të eksporteve të Shqipërisë në Kosovë e kanë pasur grupmallrat “minerale, energji elektrike e lëndë djegëse” dhe “materiale ndërtimi dhe metale”, raporton SCAN.

Në krahasim me dy muajt e parë të vitit të kaluar, Shqipëria ka eksportuar rreth 800 milionë lekë më shumë “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” dhe 1.2 miliardë lekë më shumë “materiale ndërtimi dhe metale”. Gjithsesi, të gjithë grupmallrat janë me rritje këtë vit, pjesa me e madhe e tyre, në nivelin 100 % krahasuar me janar-shkurtin e 2021./SCAN TV/