Ekspertët e Telekomit pretendojnë se borxhi në rastin Z-Mobile ishte fryrë

Rasti gjyqësor mes ‘Telekomit të Kosovës’ dhe kompanisë ‘Dardafon’, më saktësisht ‘Z-Mobile’, u kthye në pikën zero para katër ditësh, duke i hudhur poshtë të gjitha marrëveshjet e deritanishme mes të dyja palëve. Tashmë, rasti është kthyer në procedim të sërishëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas anulimit të Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 06.07.2020, vendim ky që i jepte të drejtë pretendimeve të Dardafon.net dhe Z-Mobile, pagesat e deritashme nga ana e Telekomit, që i janë bërë kësaj kompanie, janë bërë pa bazë ligjore. Telekomi thotë se këto pagesa do të ndërpriten deri në një vendim meritor të gjykatës, së bashku me përllogaritjen e saktë dhe korrekte të vlerës, e cila do të përcaktohet që nga fillimi në Gjykatën Themelore.

Shuma e plotë që Telekomi ishte e detyruar t’ia kthejë Dardafon-it, më konkretisht Z-Mobile-it, sipas vendimit tashmë të anuluar të Themelores, ishte gjithsej 24 milionë e 684 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

Mirëpo, çka po pretendon Telekomi i Kosovës në kontestimet që po i bënë nëpër gjykata sa i përket rastit me Z-Mobile?

Një padi voluminoze e ndërmarrjes publike ‘Telekomi i Kosovës’, e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese vitin e kaluar, ngriste pretendime se kompania Dardafon kishte fryrë borxhin për Telekomin.

Kjo padi, një kopje të së cilës e kishte siguruar Buletini Ekonomik vitin që shkoi, përfshinte një ekspertizë financiare të ekspertëve të lartë në Telekom, të cilët kishin hasur në një borxh të paqenë prej 6.3 milionë eurove me rastin e pranimit të kërkesës për borxh nga ana e Z-Mobile-it. Ata kishin akuzuar Z-Mobile se e ka detyruar Telekomin ta pranonte këtë borxh, ose përndryshe nuk do të kishte marrëveshje mes palëve.

Shuma e kontestuar nga Telekomi ishte 6.3 milionë euro, prej 26 milionëve sa ishte borxhi në total në fillim.

Mirëpo, Telekomi e kishte vazhduar betejën në Kushtetuese për vetëm 3.1 milionë euro, pasi gjysma tjetër nuk ishte përfshirë si borxh në marrëveshjen ‘Telekom-Dardafon’ të datës 17 nëntor 2020, pas disa takimeve mes zyrtarëve të Telekomit dhe atyre të Dardafon-it.

Shqetësimi i zyrtarëve të Telekomit se ndërmarrja është duke pranuar një borxh të paqenë, vërehet në një letërkëmbim të brendshëm të asaj kohe, që ishte pjesë e dosjes së dorëzuar në Kushtetuese.

“Nga tabela mund të shihni që ekziston një diferencë prej rreth 6.3 milionë euro ndërmjet kalkulimeve tona dhe atyre të Dardafon”, thuhej në letrën që Feim Kelmendi, zyrtar i lartë financiar në Telekom ia kishte drejtuar Bordit të ndërmarrjes më 13 gusht 2020.

Një muaj pas kësaj letre, Bordi i Telekomit kishte urdhëruar nisjen e hetimeve ku u përfshinë ekspertë të Telekomit nga departamenti financiar dhe ai ligjor.

“Lidhur me shumën e borxhit ndaj Dardafon.net, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve TK sh.a. i rekomandon Departamentit Ligjor dhe Departamentit Financiar që të konstatohet me saktësi gjendja e borxheve mes palëve në raportin kontraktual, përfundimisht me dt.01.08.2020”, thuhej në letrën e Bordit që mbante datën 31.08.2020.

E rezultatet e kësaj ekspertize finanaciare kishin vërtetuar dyshimet e ngritura nga zyrtari i lartë financiar, Feim Kelmendi, në të cilën konstatohej se ekzistonte një diferencë prej 6.3 milionë euro ndërmjet kalkulimeve të Telekomit dhe atyre të Dardafon-it.

Më pas, kishte pasuar një seri e takimeve mes zyrtarëve të Telekomit dhe atyre të Dardafon-it, të cilat ishin përcjellur me negociata të vështira mes palëve për borxhin e kontestuar prej 6.3 milionë euro.

Në fund “Dardafon” kishte hequr dorë nga pretendimet për gjysmën e këtij borxhi, mirëpo pjesën tjetër të kontestuar prej 3.1 milionë eurove, e kishte futur sërish në borxhin e përgjithshëm si pjesë e marrëveshjes për ekzekutimin e borxhit të datës 17 nëntor 2020. Kështu, nga totali prej 26 milionë eurove, borxhi i mbetur që doli nga kjo marrëveshje ishte 17.281.141.98 euro. Kjo, sepse rreth 6 milionë euro, Dardafon-i tashmë i kishte tërhequr përmes përmbaruesit privat.

Gjithashtu, letërkëmbimet e asaj kohe që ishin pjesë e dosjes së dorëzuar në Kushtetuese, shpërfaqnin mospajtimet e ekspertëve të Telekomit edhe për pjesën e kontestuar prej 3.1 milionë eurove.

“Në borxhin e përgjithshëm prej 17,281,141.98 euro është përfshirë edhe shuma e aneksit të marrëveshjes në vlerë 3.172, 635.96 euro. Për këtë pjesë të borxhit nuk ka pasur pajtim që është borxh real nga ekipi i ekspertëve të Telekomit”, thuhej në një letër tjetër të ekspertit financiar Feim Kelmendit, të datës 24 nëntor.

Aty thuhej se Telekomi këtë pjesë të kontestuar të borxhit, ishte detyruar ta pranonte si borxh të vërtetë pas kushtëzimit të Dardafon-it, sepse në të kundërtën nuk do të kishte marrëveshje.

“Telekomi është detyruar të pranoj por në të njëjtën kohë në pikën 6 të marrëveshjes ruan të drejtën që këtë pjesë ta kontestoj në gjykatë. Varësisht sesi vendoset nga gjykata për këtë cështje, shumat e paraqitura në këtë tabel duhet të korrigjohen së bashku me efektet e tyre.”

Cilat ishin gabimet në kalkulim të borxhit nga ana e Z-Mobile-it, sipas ekspertëve të Telekomit?

Sipas pretendimeve të ekspertëve të Telekomit, gabimet në kalkulim të borxhit nga ana e Z-Mobile, kishin të bënin me tri çështje kryesore.

Gabimi i parë, sipas tyre, ishte që shuma prej rreth 3.1 milionë eurove, ishte diferenca për vlerat e papaguara nga Dardafon-i ndaj Telekomit të Kosovës në periudhën 2016-2019, në vendimin e Gjykatës (i bazuar në kërkesën e Dardafon). Në emër të këtyre faturave, nga borxhi i arbitrazhit ishte zbritur vlera prej 10.4 milionë euro, por në bazë të shënimeve të zyrtarëve në Telekom, kjo vlerë duhej të ishte 13.5 milionë euro.

Kurse, gabimi i dytë kishte të bënte me diferencën prej 1.66 milionë eurove, që Dardafon-i e kishte përfshirë në borxh, e që lidhej me dënimet për shkelje kontraktuale për vonesat në dhënien e SIM dhe shërbimeve 3G pas vendimit të Arbitrazhit.

“Sipas pikës 5 të vendimit të Arbitrazhit, këto dënime nuk duhet të paguhen derisa shuma e tyre të mos e tejkalojë vlerën e fitimit të humbur prej 17.3 milionë euro”, konstatohej në ekpertizën financiare të zyrtarëve ligjor në Telekom.

Ndërsa, gabimi i tretë, ishte borxhi prej rreth 1.5 milionë euro që kishte të bënte me periudhën e përllogaritjes së kamatave nga Dardafon-i. Sipas ekspertëve të Telekomit, Dardafon kishte përllogaritur kamatën në shumën totale të borxhit të caktuar nga Arbitrazhi prej 14/04/2015 deri më 08/07/2019 (kur ka dërguar rastin në gjykatë). Po ashtu, sipas vendimit të gjykatës ka llogaritur kamatën nga 08/07/2019 deri më 15/07/2020.

“Sipas vlerësimit tonë, kamata e llogaritur në periudhën nga 24/05/2017 deri me 08/07/2019 është e pabazë, sepse nuk mund të llogaritet kamatë për një borxh në periudhën për të cilën është nënshkruar marrëveshja e vitit 2017”, thuhej në ekspertizë.

Telekomi ishte ankuar se gjykatat nuk ia kishin dhënë mundësinë që t’i parashtrojnë pretendimet e tyre

Pretendimet e lartëcekura, Telekomi i Kosovës thotë se nuk kishte pasur mundësi t’i paraqiste në gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë, pasi këto të fundit, sipas Telekomit, ia kishin mohuar të drejtën e deklarimit ndërmarrjes, lidhur me provat e reja që kishte gjetur.

Por, këto pretendime, Telekomi i kishte adresuar në Gjykatën Kushtetuese në formë padie, në të cilën atakohej vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit, të cilat ia njihnin Z-Mobile-it të drejtën në borxhin 26 milionësh.

“Meqenëse Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që lidhur me Prapësimin e Telekomit të mbanë shqyrtim gjyqësor, në momentin kur Dardafoni ende pa përfunduar shqyrtimi gjyqësor, ndryshoj propozimin, vlerën e propozimit dhe parashtroj prova të reja të cilat nuk i kishte parashtruar deri atëherë, Gjykata ka qenë e obliguar ta caktojë shqyrtimin e ri me qëllim që Telekomit ti jepet mundësia të deklarohet rreth këtyre çështjeve dhe rrethanave të ndryshuara”, thuhej në padinë e Telekomit.

Në kundërshtim me detyrimin ligjor, sipas padisë, gjykata e shkallës së parë fare nuk e kishte caktuar shqyrtimin e radhës duke ia mohuar Telekomit, në këtë mënyrë, të drejtën e garantuar ligjore për t’u deklaruar lidhur me propozimin e ndryshuar, vlerën e ndryshuar dhe provat e reja.

“Këto shkelje të procedurës përmbarimore ishin edhe ndër pretendimet kryesore të Telekomit në ankesën e dorëzuar me datën 10.07.2020. Duke vendosur sipas ankesës, Gjykata e Apelit nxjerri aktvendimin Ac.nr. 3610/20 të datës 08.10.2020 me të cilin, as që i ksihte trajtuar, e lërë më vlerësuar këto pretendime ankimore”, cekej tutje në padi.

Ndërkohë, në shqyrtimin e mbajtur më datë 22 qershor 2020, lidhur me validitetin e Prapësimit të Debitorit (Telekomit), Gjykata Themelore në Prishtinë kishte nxjerrë konkluzionin me të cilin e kishte detyruar kreditorin që brenda një afati prej 3 ditësh, ta dorëzojë Parashtresën për precizimin e propozimit për përmbarim.

Këtë Parashtresë, Kreditori (Dardafon) e kishte dorëzuar më datë 29 qershor 2020, të cilën Debitori (Telekomi i Kosovës) e kishte pranuar më datë 6 korrik 2020.

“Mirëpo ende pa u deklaruar Debitori, apo në të njëjtën datë kur Kreditori e kishte dorëzuar Parashtresën, pra me datën 06 Korrik 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë veq e kishte përgatitur dhe nxjerrë Aktvendimin, duke ia mohuar të drejtën ligjore Debitorit (Telekomit) që të deklarohet  rreth Parashtresës së Kreditorit për Precizimin e Propozimit për Përmbarim dhe vlerës së re të përmbarimit e cila dallonte nga vlera fillestare”, vazhdohej pretendimi i Telekomit në padinë e dorëzuar në Kushtetuese.

Ndërkohë, nga Telekomi kanë deklaruar se vendimin e Gjykatës së Apelit për anulimin e vendimit të Themelores, e shohin si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së ligjshmërisë në lidhje me kërkesat legjitime të Telekomit të Kosovës.

Sipas tyre, shkeljet kushtetuese dhe procedurale në dëm të Telekomit të Kosovës, të konstatuara nga ana e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Kushtetuese, lidhen me përcaktimin e shumës për të cilën është lejuar përmbarimi dhe bazat meritore të kundërshtimeve dhe ankesës së Telekomit të Kosovës, e të cilat janë thelbësore për të përcaktuar detyrimet e Telekomit të Kosovës. Gjithashtu, Telekomi i Kosovës tha se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të kërkuar që t’i rikthehen të gjitha mjetet tashmë të përmbaruara pa bazë ligjore dhe me detyrim, në xhirollogarinë e Telekomit. /Buletini Ekonomik/