Kosova gjatë janarit eksportoi energji elektrike në vlerë të afër 11 milionë eurove

Fotografi ilustruese

Kosova gjatë muajit janar të këtij viti, ka eksportuar energji elektrike në vlerë të gjithsej 10 milionë e 899 mijë e 144 eurove, ndonëse vendi ishte në pikun e krizës energjetike.

Në muajin dhjetor 2021, vendi ynë është përballur me çmime të larta të importit të energjisë elektrike shkaku i krizës që kishte kapluar pothuajse të gjitha vendet evropiane, me ç’rast edhe çmimi i energjisë në bursat evropiane ishte ngritur në vlera rekorde. Kosova ishte e detyruar të importonte energji si pasojë e pamundësisë së termocentraleve kosovare të përballojnë kërkesat në pik, ku shpenzimi i energjisë elektrike kishte arritur kulmin, shkaku i ngrohjes së qytetarëve me rrymë.

Nga të dhënat e publikuara nga Dogana e Kosovës për mallrat e eksportuara gjatë dy muajve të parë të 2022-s, energjia elektrike në janar zë vendin e dytë për sasinë më të madhe të eksportit, që përbënte 17.9 për qind të të gjithë eksportit nga Kosova për në vendet e jashtme. Ndërsa, në muajin shkurt të po të këtij viti, Kosova nuk shihet se ka eksportuar energji elektrike për dallim nga një muaj më herët, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Para energjisë elektrike, më së shumti janë eksportuar dyshekët nga materialet e ndryshme (nga goma ose plastika, pa susta brenda), ku vlera e eksportit të tyre vetëm në janar arriti në 12 milionë e 261 mijë e 225 euro, apo 20.1 për qind e gjithë totalit të mallrave të eksportuara në këtë periudhë. Pothuajse njësoj ishte vlera e eksportit të tyre edhe në muajin shkurt, prej 12 milionë e 543 mijë euro.

Pas tyre, zinin vend dyert, dritaret dhe pragjet për dyer në vlerë të mbi 2 milionë eurove, dyshekët (të njëjtë si më sipër veqse me susta brenda) me vlerë mbi 1 milionë euro, tuba të ndryshme prej çeliku, pllaka, xeherore dhe koncentrate plumbi e zinku, si dhe pije freskuese të ndryshme.

Të gjitha këto mallra dhe produkte që Kosova eksportoi jashtë vendit gjatë kësaj periudhe dy mujorëshe, ishin që të gjitha në vlera mbi 1 milionë euro deri në mbi 12 milionë. /Buletini Ekonomik/

 

Shënim: Të dhënat janë marrë nga Edison Jakurti, në profilin e tij në facebook, ku ka bërë një analizë të të dhënave të Doganës së Kosovës për muajt janar-shkurt të vitit 2022, për Top 10 mallrat e eksportuara nga Kosova. Edison Jakurti njëherit është edhe anëtar i Grupit Punues për hartimin e Projektligjit për formimin e Fondit Sovran të Kosovës. /Buletini Ekonomik/