Kurti thotë se energjia e eksportuar ka ndodhur për shkak të tepricave të energjisë elektrike pas mesnatës

Kryeministri i Koosvës, Albin Kurti i ka komentuar raportimet për eksportimin e energjisë elektrike nga Kosova në muajt janar dhe shkurt.

Kurti deklaroi se edhe kur energjia kalon në Kosovë në formë tranziti ajo llogaritet si eksport, dhe shtoi se energjia e eksportuar ka ndodhur për shkak të tepricave të energjisë elektrike pas mesnatës si dhe në rastin e hidrocentralit në Ujman, për shkak të kontratave të nënshkruara shumë kohë më parë.

“Ajo çfarë po përgjigjem tash, e më vonë do të flasë për çështjen e çmimeve është se eksportimi i energjisë që u tha për muajt janar dhe shkurt, janë tre faktorë, njëri prej të cilëve është keqkuptim dhe po ia filloj prej këtj. Faktori i parë është tranziti i energjisë. Tranziti i energjisë nuk është eksport. Kur Serbia i shet energji Shqipërisë ose anasjelltas; kur Maqedonia e Veriut i shet energji Malit të Zi ose anasjelltas, ajo kalon nëpër Kosovë, hyn e del, por ajo që del nuk është eksport. Prandaj duhet të kemi kujdes që të mos e keqkuptojmë”, u shpreh Kurti.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu, ai foli edhe për eksportin e energjisë që bëhet nga Ujmani, që sipas tij, ky i fundit eksporton energji elektrike me çmim të lirë shkaku i disa kontratave afatgjata të nënshkruara më herët. Sipas këtyre kontratave, Ujmani e shet një megavat orë energji për vetëm 38 euro.

“Faktori i dytë është që Ujmani ka kontrata afatgjata të eksportit të energjisë. Me 38 euro e shet një megavat orë, por ne i kemi gjetë ato kontrata… Ujmani eksporton se e ka obligim kontraktual shitjen kaq të lirë në një krizë energjetike”, shtoi Kurti.

Ndërkohë, si faktor të tretë, Kurti e përmendi “tepricën e energjisë elektrike” pas mesnatës, “sidomos në orën 3, 4 dhe 5 pas mesnatës”, me ç’rast prodhimi është më i lartë sesa konsumi. Për këtë arsye, Kurti tha se energjia elektrike në këtë kohë është e natyrshme të eksportohet.