Nga ky vit, bizneset në Kosovë do të jenë të obliguara që t’i raportojnë në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve (ARBK) edhe pasqyrat financiare, të cilat do të jenë publike.
Në uebfaqen e këtij institucioni, në nënfaqen me të dhënat bazë të një biznesi të kërkuar, tanimë shfaqet edhe kolona me pasqyrat financiare.
Përdoruesit mund të shkarkojnë të dhëna për secilin biznes në tri vitet e fundit (2020, 2021 dhe 2022) duke përfshirë kështu:
- Pasqyra e pozitës financiare më 31 dhjetor
- Pasqyra e të ardhurave gjithëpërfshirëse për vitin që përfundon më 31 dhjetor
- Pasqyra e ndryshimeve në ekuitet/kapital për vitin që përfundon më 31 dhjetor
- Pasqyra e rrjedhjes së parasë për vitin që përfundon më 31 dhjetor
- Pasqyra e konsoliduar e pozitës financiare më 31 dhjetor
ARBK ende nuk ka dalë me ndonjë njoftim lidhur me këtë ndryshim. /Buletini Ekonomik/