Numër i madh i rasteve të falsifikimit të parave përbrenda një dite

Përbrenda 24-orëve në Kosovë janë paraqitur në polici pesë raste për falsifikim të parave në vlera të ndryshme.

Të pesë rastet e raportuara për falsifikim të kartëmonedhave, sipas policisë, janë në rajonin e Prishtinës, shkruan lajmi.net.

“Pesë raste të ndara janë raportuar për falsifikim parash, në kartëmonedha në vlera të ndryshme, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. Njësiti policor kanë  sekuestruar monedhat e dyshuara si të falsifikuara për procedura hetimore, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga njësitë relevante”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Më tej, në komunikatën e shpërndarë në ditën e martë për media, policia bën të ditur edhe për tri raste të tjera të falsifikimit të parave përpara dy javësh në Gjakovë. Në të trija rastet, është falsifikuar kartëmonedha prej 100 eurosh.

“Tre raste të ndara janë raportuar për falsifikim parash, për kartëmonedhë prej 100 euro, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. Njësiti policor kanë  sekuestruar monedhat e dyshuara si të falsifikuara për procedura hetimore, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga njësitë relevante”, njoftohet më tej.

Nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, për lajmi.net kanë konfirmuar për një numër të madh të falsifikimit të kartëmonedhës prej 100 eurove. Sipas tyre, në tre-mujorin e parë të këtij viti, janë paraqitur 60 raste të falsifikimit të 100 eurove.

“Në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë këtë tremujor të vitit 2022 kanë ardhur për ekspertim 194 kartëmonedha në vlerë prej 100 euro dhe nga ky numër rezultojnë të falsifikuara 60 kartëmonedha në vlerë prej 100 euro”, kanë bërë të ditur ditë më parë për mediumin nga Forenzika.

Po ashtu, nga e njëjta agjenci, është theksuar se në tremujorin e vitit 2022 rezulton se kartëmonedha më e falsifikuar është kartëmonedha në vlerë prej 100 euro.