Shqipëria ka taksat më të ulëta në rajon

Në Shqipëri paguhet më pak se në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi për TVSH-në për bizneset e vogla, tatimin mbi fitimin për bizneset e vogla dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, publikoi sot të dhënat krahasimore të tri vendeve: Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, sa i përket TVSH-së për bizneset e vogla, tatimin mbi fitimin për bizneset e vogla dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Në tabelat e publikuara nga ministria rezulton se TVSH-ja për bizneset e vogla në Shqipëri është 0 %, në Maqedoninë e Veriut është 18 % dhe në Serbi është 20 %, transmeton atsh, përcjell Albinfo.ch.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu në Shqipëri tatimi mbi fitimin për bizneset e vogla është 0 %, ndërsa në Maqedoninë e Veriut është 10 % dhe në Serbi është 15 %.

Shqipëria ka përqindje më të ulët krahasuar me dy vendet e tjera të rajonit edhe sa i përket sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Kështu sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në Shqipëri janë 27 %, ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë 42.5 % dhe në Serbi janë 47.5 %.