Zinxhirët e supermarketeve në Greqi po kufizojnë sasinë e miellit, vajit të lulediellit dhe sheqerit që mund të blejnë konsumatorët, si një masë paraprake pasi janë rritur kërkesat pas shqetësimeve se furnizimet mund të preken për shkak të luftës në Ukrainë.
Pushtimi rus ka çuar në rritjen e çmimeve dhe shqetësimeve për mungesën e produkteve në të gjithë industritë në Bashkimin Europian.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë furnizuesit kryesorë të vajit të lulediellit dhe grurit.
Katër rrjetet greke të supermarketeve, AB Vassilopoulos, Sklavenitis, Kritikos dhe My Market thanë se kishin kufizuar blerjet në internet dhe në disa raste edhe në dyqane për produkte të tilla, si mielli, vaji i lulediellit dhe sheqerit.
AB Vassilopoulos tha se ka vendosur një kufi prej 3 pako miell dhe 3 shishe vaj për klient. Ndërsa Sklavenitis ka racionuar edhe sheqerin, duke vendosur një kufi maksimal prej katër pako sheqeri në dyqanet online.
Sekretari i Përgjithshëm për Tregtinë dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Sotiris Anagnostopoulos tha për Ant1 TV se kërkesa për disa produkte ishte trefishuar në javët e fundit ndërsa blerësit kishin krijuar radhë nga paniku.
Greqia importon rreth 250 mijë ton grurë nga Rusia dhe Ukraina, rreth 30% e importeve totale të grurit, sipas Ministrisë s Bujqësisë.
Qeveria u ka kërkuar furnitorëve, si supermarketeve dhe shitësve të tjerë me pakicë të deklarojnë rezervat e produkteve duke përfshirë plehrat, ushqimin për kafshët, drithërat, miellin, vaji i lulediellit dhe vajrat e tjerë bimorë.
“Mielli dhe vaji i lulediellit janë dy produktet të cilat përveç energjisë, lufta i ka prekur më shumë se çdo gjë tjetër”, tha ministri i Zhvillimit Adonis Georgiadis.
“Tashmë ka mungesa në të gjithë Europën.”
Edhe supermarketet spanjolle kanë kufizuar blerjen e vajit të lulediellit në disa shishe për person.
Disa supermaket në Itali kanë zbatuar masa të ngjashme. Unicoop Firenze tha se kishte vendosur kufizime për blerjet e sheqerit, miellit dhe vajit të lulediellit, ndërsa Eurospin konfirmoi se dyqanet e saj kishin vendosur kufizime për miellin dhe vajin e lulediellit./ Reuters