Kosovës i duhet sa më shpejtë Strategjia e paralajmëruar energjetike për periudhën 2022-2031. Dhe më, nuk ka asnjë kuptim të shtyhet afati i paralajmëruar i bërjes publike të kësaj strategjie, siç po ndodhë që nga fillimi i këtij viti. S’mundet më Kosova të presë deri në infinit hamendësimet e diskutueshme të vendimmarrësve se çka do të ndërtohet nga kapacitetet elektroenergjetike me përparësi, si do të ndërtohet dhe kur…
Mehmet GJATA
Kosovarët, i madh dhe i vogël, por edhe autoritetet e këtij vendi, sidomos pas përjetimit të krizës së ashpër energjetike në fund të vitit 2021 dhe dhe në fillim të 2022-ës, e kanë më se të qartë se Kosova ka mungesë të energjisë elektrike. Kjo mungesë, që siç u pa di të jetë e ashpër, të zgjasë edhe për shumë kohë, sidomos gjatë muajve të dimrit dhe në kohën e ashtuquajtur të pikut, kur konsumi rritet ndjeshëm, shpërfaqë nevojën për sa më shumë energji, të cilën Kosova nuk e ka.
Pasojat e mungesës së kapaciteteve elektroenergjetike në Kosovë
Kosovarët, e edhe zyrtarët e tyre, po ashtu e kanë të ditur se mungesa e energjisë në vendin e tyre është pasojë kryekëput e mungesës së kapaciteteve prodhuese, qoftë në bazë të qymyrit, qoftë sosh të rinovueshme për ta përmbushur dhe kompenzuar këtë mungesë.
Termocentralet ekzistuese të stërvjetruara: ‘Kosova A’ prodhon energji që nga vitet e 60-ta, ndërsa ‘B-ja’ si më e re funksionon që nga vitet 80-ta. Kurse, prodhimi i energjisë nga termocentralet ‘Kosova A’, realisht është bërë i rrezikshëm edhe për punëtorët aktual të angazhuar në këtë ‘dinosaur’ të stërlashtë, por edhe për banorët rreth e qark tij.
Sipas ekspertëve, brenda për brenda këtij termocentrali, asnjë ditë pune në të nuk është e sigurtë. Stabilimentet e stërvjetëruara mund të dështojnë në çdo çast, madje mund të ndodhin edhe fatkeqësi të rënda si pasojë e ndonjë avarie të madhe në stabilimentet shumëvjeçare. Këto janë fakte të padiskutueshme.
Mirëpo, fakt është, qëndrimi në ‘vendnumëro’ i autoriteteve kompetente dhe vendimmarrëse aktuale të Kosovës rreth ndërmarrjes së ndonjë hapi, apo veprimi, për të bërë diçka, për t’u përcaktuar definitivisht për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri elektroenergjetik, qoftë nga qymyri, të cilit tashmë pas krizës globale energjetike, bota po i rikthehet, pa e fshehur këtë fakt, qoftë të ndonjë kapaciteti të energjisë së rinovueshme.
Ç’është edhe më keq, po vonohet dhe po shtyhen afatet e paralajmëruara për të satën herë të strategjisë së paralajmëruar energjetike të Kosovës për periudhën 2022-2031.
Sipas ministres më kompetente për politika zhvillimore energjetike, asaj të ekonomisë, Artane Rizvanollit, më saktësisht deklarimit të fundit të saj të bërë diku kah fundi i marsit, Strategjia energjetike ishte paraparë të bëhet publike pas përafërsisht dy javësh (më herët nga e njëjta ministre është paralajmëruar jo një herë se i njëjti draft do të publikohet në muajin mars).
Pra, tashmë ka kaluar dyfishi i dy javëve që kur u paralajmërua nga zonja Rizvanolli kjo strategji, dhe nuk po dëgjohet ende asnjë fjalë për të, e as për përmbajtjen e vërtetë të saj.
Çka thotë ministrja Rizvanolli në paraqitjet e saja publike?
Ministrja Rizvanolli në disa paraqitje publike gjatë këtij viti, ka paralajmëruar se Strategjia e pritshme energjetike për periudhën 2022-2031, nuk do të përfshijë ndërtimin e ndonjë termocentrali me qymyr. Por, ajo nuk e bëri publike asnjë të dhënë të re konkrete se si do ta përballojë Kosova në vitet në vazhdim krizën e ashpër energjetike, që e ka pllakosur vendin edhe gjatë mandatit të ushtrimit të funksionit të saj qeveritar, pos që ka ripërsëritur se “fokusi kryesor në aspektin e investimeve do të jetë në zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme dhe nuk do të përfshijë ndërtimin e ndonjë termocentrali me qymyr”.
Ajo, pa saktësuar më shumë, në disa raste ka vënë në dukje se “investime duhet të bëhen edhe në termocentralet e vjetra ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’, ndërsa te ‘A’-ja investimet mund të jenë më të vogla në krahasim me ‘Kosovën B”. Nuk dihet pra se kur kjo Qeveri do të nisë investimet e domosdoshme dhe të paralajmëruara në termocentralet e vjetra, sikundër që nuk dihet se sa do të jenë këto investime dhe se nga do të sigurohen mjetet financiare.
“Burimet e ripërtëritshme të energjisë do të kenë rol kyç, investimet në Kosovën B, termocentralin 40 vjeçar, duhet të ndodhin. Ndërsa, sa i përket çështjeve të tjera janë çështje të cilat do t’i diskutojmë së shpejti”, ka bërë të ditur ajo në një emision televiziv.
“Ka mundësi që kjo të jetë pjesë e zgjidhjes, jo krejt Kosova A, por një njësi ose dy. Mirëpo, kjo nuk është e vendosur, çfarë është me rendësi të thuhet është se për herë të parë kemi një strategji e cila shikon përpara drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë deri në vitin 2050”, ka theksuar Rizvanolli.
“Rritja e burimeve të ripërtërtitshme të energjisë është një prej objektivave kryesore, rritja e efiçiencës që do të na mundësojë në fakt të kemi më pak nevojë për investime të shtrenjta, dhe çmime më të larta, është një objektiv kryesor tjetër”, kishte nënvizuar tutje ajo.
Por, ajo dhe askush tjetër nga kabineti aktual qeveritar, nuk e tha se si dhe në ç’mënyrë do të bëhet rritja e burimeve të ripërtërtitshme të energjisë. Cilat do të jenë kapacitetet elektroenergjetike të energjisë së rinoviueshme? Cilat do të jenë impiantet e reja eventuale në bazë të erës, cilat janë ato të energjisë solare, dhe cili do të jetë hidrocentrali, nëse do të ketë një plan të ndërtohet ndonjë i tillë?
Por, nuk dihet as ndonjë afat më i saktësuar për ndonjë kapacitet të ri energjetik, as për nisjen eventuale të rindërtimit të termocentraleve të stëramortizuara tashmë.
Projekti i paralajmëruar me emërtimin “Solar4Kosova”, nëse vërtetë do të ndodhë, ishte një “sihariq” i mirë dhe erdhi mu në kohën kur kriza energjetike është shpërfaqur me tërë ashpërsinë e vet edhe te ne, por edhe kur Kosovës i nevojitet më së shumti një kapacitet i energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë.
Një nismë e mirë e ndërtimit të kapaciteteve të rinovueshme është bërë e ditur kohë më parë edhe nga drejtori ekzekutiv në KEK, i cili bëri të ditur se KEK-u po planifikon të ndërtojë 100 megavatë kapacitete solare në sipërfaqen e deponisë së djerrinës të termocentralit ‘Kosova A’.
Por, tani për tani kjo nismë ka mbetur vetëm në nivel të iniciativës. Nga qeveritarët nuk u dëgjua më asnjë fjalë rreth kërkesës së KEK-ut për të ndërtuar një park solar 100 megavatësh, në një nga ish-deponitë e ‘Kosovës A’.
Prandaj, në këto rrethana të mungesës kaq evidente të energjisë elektrike, si pasojë e mungesës së impianteve të prodhimit dhe të nevojës së urgjencës për të inicuar projekte të energjisë së rinovueshme dhe të shpalljes si fakt të kryer se më nuk do të ketë termocentral të ri në bazë të qymyrit, për Kosovën bëhet imediate gjetja e alternativave për t’i zëvendësuar sa më shumë kapacitetet tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme.
Në këtë plan, duhet shpejtuar pa humbur kohë dhe asnjë çast, të shkurtohen procedurat e stërzgjatura të kërkuara deri më tash për të nisur edhe ndonjë kapacitet elektroenergjetik alternativ, qoftë solar apo në bazë të erës.
Dhe, sipas ekspertëve, sado që Kosova nuk i ka kushtet ndër më të mirat për të pasur kapacitete efektive dhe potente të energjisë së rinovueshme, ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit dhe parqe të energjisë me erë për të prodhuar sasi të çmueshme të rrymës për nevojat e veta. Dhe këto kondita duhet ngutur për t’i shfrytëzuar.
Kosovës i duhet energjia elektrike e munguar dhe këtë mungesë, ajo po e paguan me çmime stratosferike. I duhet energji elektrike me çdo çmim.
Prandaj, tani Kosovës i duhet sa më shpejtë Strategjia energjetike e paralajmëruar për periudhën 2022-2031. Dhe më, nuk ka asnjë kuptim të shtyhet afati i paralajmëruar i bërjes publike të kësaj strategjie, siç po ndodhë që nga fillimi i këtij viti. Dhe, në këtë Strategji, duhet patjetër dhe domosdoshmërisht të zë vend parashikimi i saktë i ndërtimit të kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme.
S’mundet më Kosova të presë deri në infinit hamendësimet e diskutueshme të vendimmarrësvese se çka do të ndërtohet me përparësi, si do të ndërtohet dhe kur.
Një orë e më parë duhet të nisë realizimi i sa më shumë projekteve të energjisë së ripërtëritshme, për të prodhuar më shumë megavët-orë për të përmbushur nevojat e shtuara të konsumit të vendit dhe të pavarësimit më të madh nga importi tepër i shtrenjtë i energjisë elektrike.
Në Strategjinë e pritshme energjetike që po vonohet, duhet të sqarohet deri në detaje heqja dorë kaq vrullshëm dhe mu në pikun e krizës së ashpër nga rindërtimi i “Kosovës A”, tre blloqet e saj A3, A4 dhe A5, të paralajmëruara qysh para një viti po nga qeveritarët se “në rindërtimin e këtyre tre blloqeve do të investohen diku rreth 200 milionë euro”.
Fundja, Strategjia energjetike 2022-2031 duhet të shpjegohet mirë e mirë dhe të saktësohet se pse Kosova po e zhvleftëson resursin më të bollshëm që ia ka falur natyra, qymyrin, pas krizës globale energjetike dhe sidomos pas luftës ruso-ukrainase, kur shumë shtete të botës, edhe sosh të fuqishme, iu rikthyen qymyrit dhe e riaktualizuan këtë resurs natyror të nevojshëm dhe të domosdoshëm për vitet e ardhshme.
A ka objektiva energjetike Kosova?
Në Strategjinë energjetike tashmë të vonuar, në radhë të parë duhet të evidentojmë qartë objektivat çka po duam. Duhet ta themi se Kosova nuk është në gjendje t’i bëjë ballë presionit ndërkombëtar për të hequr dorë definitivisht nga shfrytëzimi i thëngjillit, që e kemi me bollëk te dera dhe në sipërfaqe të tokës, ose në të kundërtën, se Kosova akoma nuk është në gjendje që të “çojë” duart nga thëngjilli, sikundër po veprojnë tashmë shumë shtete, duke përfshirë edhe ato të Ballkanit, që po i kthehen qymyrit për të zbutur krizën e shkaktuar nga rritja e çmimit të energjisë.
Maqedonia e Veriut, dikur udhëheqëse në tërheqjen e investitorëve të energjisë së rinovueshme, tha në fillim të këtij muaji se po planifikon hapjen e dy minierave të reja të qymyrit për të furnizuar termocentralet e saj.
Ministria e Energjisë e komshiut tonë, tha gjithashtu se dëshiron të blejë 3 milionë tonë qymyr nga Kosova fqinje, megjithëse ende nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje.
“Me fillimin e krizës energjetike, jo vetëm ne, por të gjitha vendet në Evropë kanë rritur menjëherë prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri sepse ky është burimi me kosto me të ulët dhe më i sigurtë”, ka thënë Vasko Kovacevski, president i ndërmarrjes shtetërore të energjisë të Maqedonisë së Veriut, “Elektrani na Severna Makedonija” (ESM).
Në këtë kontekst, pasi të sqarohen këto dilema, edhe Kosova me nguti dhe pa humbur asnjë orë, duhet t’i përkushtohet gjetjes së alternativave për ta zbutur mungesën e rrymës. S’ka zgjidhje tjetër, ose zgjatja e jetës së shfrytëzimit të qymyrit, ose ndërtimit të kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme. Por, nuk duhet të ketë edhe më tej shumë hamendësime nga vendimmarrësit, siç ka ndodhur deri tani.
Dhe në këtë kontekst, nuk duhet pritur pafundësisht për të vendosur për rindërtimin e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme dhe nëse shteti e ka ndërmend seriozisht ta bëjë këtë, duhet t’i shterrojë të gjitha mundësitë për të shtuar kapacitete për energji të rinovueshme.
Nuk ka më kohë për pritje dhe kalkulime. Shpejt Kosova mund të mbetet edhe më shumë pa energji elektrike, nëse nuk ndërmerret hapi vendimtar i nevojshëm, i analizuar detajisht edhe për ruajtjen e ambientit, edhe për koston financiare, por edhe për plotësimin e nevojave të konsumit kosovar me energji elektrike. /Buletini Ekonomik/