Pas linjës 400 kV në mes Kosovës dhe Shqipërisë, po studiohet një tjetër investim i përbashkët në energji

Fotografi ilustruese

Shqipëria dhe Kosova janë të lidhura me një linjë 400 kilovolt, një investim i përbashkët dhe i rëndësishëm për lidhjen energjetike të dy vendeve që hasi jo pak probleme.

Por duket se një tjetër investim në drejtim të forcimit të lidhjes së dy vendeve po analizohet nga auroritetet.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) zbardhi në raportin e vet se ka një projekt për ndërtimin e një linje të re ajrore 110 kV ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës

Reklama e sponzorizuar

“Duke marrë në konsideratë potencialin e lartë gjenerues hidrik, por dhe të burimeve të tjera të rinovueshme që pritet të realizohen dhe të lidhen në rrjetin e transmetimit në zonën verilindore të vendit, po studiohet mundësia e lidhjes më një linjë interkonjeksioni 110 kV, në formë unaze, nga kjo zonë e Shqipërisë [ (N/stacioni Bajram Curri dhe N/stacioni Kukës) drejt zonave me konsum të lartë të Kosovës, si Deçani, Dragashi, Prizreni etj” thuhet në raport.

Sipas autoriteteve në këtë mënyrë do të shfrytëzohet fakti i diversifikimit të prodhimit të energjisë kur dihet se Kosova bazohet mbi prodhimin me linjat.

“Potencialisht, kjo do të sjellë ulje të mundshme të kostove të prodhimit nga gjeneruesit e të dy vendeve dhe blerjen e humbjeve nga operatorët e sistemit të transmetimit me kosto sa më të ulët. Diversifikimi do të bëjë të mundur administrimin më të mirë të shërbimeve ndihmëse, duke balancuar më mirë sistemin për shkak të disbalancave që mund të vijnë nga shtimi i burimeve të rinovueshme. Ky projekt do të rrisë gjithashtu sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët, por në të njëjtën kohë do të ketë ndikim pozitiv dhe për gjeneruesit, duke përmirësuar nivelet e tensionit” thuhet në raport.

Linja ekzistuese prej 400 kilovolt nisi në pjesën Shqiptare në vitin 2014 me një mbështetje të bankës gjermane KfW.

Përfundimi i linjës u bë në vitin 2016 po vënia në funksion e saj vonoi edhe për shumë kohë për shkak të konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës.

Pas ndarjes së Transmetimit të Kosovës nga ai i Serbisë linja mundi të vihet në funksion në vitin 2020. Kostoja e linjës vlerësohet në 70 milionë euro. /Monitor.al/