ZRRE i qëndron prapa vendimit për shtrenjtim të energjisë elektrike

Fotografi ilustruese

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, është shqyrtuar raporti i Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE), për vitin 2021.

Në këtë komision ka raportuar kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Fejzullahu ka thënë së pavarësisht vendimit të Gjykatës Themelore për masë të përkohshmë në lidhje me vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ZRRE-ja i qëndron prapa vendimit të saj dhe se e të njëjtin e konsideron si vendim të drejtë.

Sipas tij, tarifat e energjisë me çmimin e ri do të vazhdojnë të mbesin në fuqi, pasi ende nuk ka ndonjë vendim të prerë nga gjykata.

Ai tha se ZRRE-ja tashmë e ka shfrytëzuar të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Apelit.

“Kemi marrë vendim të drejtë dhe jemi duke shfrytëzuar të drejtën e ankimimit. Vendimi i Gjykatës Themelore nuk është i formës së prerë, cilido vendim që të jetë nga Gjykata e Apelit ne do të respektojmë”, është shprehur Fejzullahu.

Kurse sa i përket shqyrtimit të raportit të ZRRE-së për vitin 2021, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, tha se sfidë për Kosovën dhe sektorin energjetik në përgjithësi, ka qenë kriza energjetike në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor 2021.

Sipas tij, në këta muaj kishte ndodhur edhe shtrenjtimi enorm i importit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare, çmime këto për pesëfish më të shtrenjta.

“Çmimet e importit, sidomos në tetor, nëntor dhe dhjetor janë pesëfishuar. Çmimi mestar për import të energjisë gjatë vitit 2020 ka qenë 51 euro, ndërsa në vitin 2021, 119 euro. Konsumi në Kosovë është duke u rritur, jo për shkak të industrisë, por për shkak të konsumit shtëpiak”, vazhdoi tutje Fejzullahu.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile, të opozitës dhe avokatë të shumtë mbrojnë qëndrimin se vendimi i ZRRE-së është i jashtëligjshëm dhe se padiskutueshëm do të duhej të ekzekutohej vendimi i Gjykatës Themelore, për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji mbi zbatimin e tarifave të reja. /Buletini Ekonomik/