Kurti e Murati prezantojnë masat e reja: Nga 100 euro për të gjithë të punësuarit në sektorin privat e publik

Albin Kurti dhe Hekuran Murati në konferencë për media

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, kanë prezantuar disa prej masave të reja nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, që do t’iu dalin në ndihmë pothuajse të gjitha familjeve në vend.

Kryeministri Kurti tha se përmes kësaj pakoje do të përfitojnë nga 100 euro të gjithë pensionistët e vendit dhe të gjithë të punësuarit si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, përcjell Buletini Ekonomik.

Gjithashtu, nga kjo ndihmë pritet të përfitojnë nga 100 euro edhe të gjitha familjet që janë nën asistencë sociale.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tregoi se nga këto masa të punësimit do të mbështeten të gjitha kategoritë.

Sa i përket përfitimit, ai tha se pensionistët do t’i marrin këto shtesa që në pensionin e këtij muaji, kurse punonjësit e sektorit publik dhe ata që janë në kategorinë e asistencës sociale, do t’i marrin me pagat e fillimit të muajit maj.

Ndërsa, për punëtorët e sektorit privat dhe studentët, Murati tha se detajet e aplikimit pritet të bëhen publike gjatë ditëve në vazhdim.

Kurti e Murati gjatë kësaj konference, bënë të ditur se në mbledhjen e nesërme të Qeverisë, do të prezantohet edhe Projektligji për pagën minimale, i cili parasheh rritjen e kësaj page në 264 euro.

Tutje sipas Muratit, këto mjete që do të shkojnë për pensionistët dhe të punësuarit janë mjete që janë përfituar nga kredia me Bankën Botërore, nga ligji për rishikimin e buxhetit dhe nga Ligji që pritet të miratohet për rritjen e pagës minimale.

Murati tha se ky ligj do të ofrojë rritje të pagës neto për të gjithë punonjësit, që sipas kalkulimeve, pritet të ketë rritje në pagat neto të punëtorëve me nga 80 euro në vit.

Murati ftoi edhe punëdhënësit e sektorit privat që t’ua rrisin pagat punëtorëve të tyre, duke bërë me dije se edhe Qeveria do t’i mbështesë.

Ai tha se duke marrë parasysh rritjen ekonomike të Kosovës në vitin e kaluar, “ftoj qytetarët që të blejnë më shumë produkte vendore në mënyrë që të kontribuojnë në rritjen e ekonomisë së vendit”.

Gjithashtu, ai iu drejtua qytetarëve duke thënë që të mos blejnë produkte asnjëherë pa e marrë dhe kërkuar kuponin fiskal, sepse në këtë mënyrë ata kontribuojnë në të hyrat e shtetit dhe se vetëm në këtë mënyrë shteti mund t’i mbledhë tatimet.

Vlera totale e kësaj pakoje është mbi 100 milionë euro ku pritet të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë të vendit.

“Për muajin prill do ta dyfishojmë vlerën e asistencës. Pensionistëve do t’u ndahen nga 100 euro shtesë për muajin prill, dhe do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension. Për herë të parë, do të mbështesim me 100 euro të gjithë punëtorët e sektorët privat. Në kuadër të kësaj pako do të ndahen edhe nga 100 euro për mbi 80 mijë zyrtarë publikë. Për herë të parë, do të mbështeten të gjithë studentët nga 100 euro. 80 mijë studentë do të përfitojnë nga kjo. Vlera totale e kësaj mase është mbi 100 milionë euro dhe do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje”, ka deklaruar sot Kurti. /Buletini Ekonomik/