Nuk bëhet fjalë për vetura elektrike të prodhuesit Tesla, por për bateri gjigande që ruajnë energjinë elektrike për përdorim atëherë kur ka më shumë nevojë.
Rishtazi, Qeveria e Kosovës ka miratuar iniciativën për fillimin e negociatave për programin e Kompaktit të financuar nga MCC.
Projekti, i cili parashihet të jetë investimi më i madh energjetik që nga vitet e 80ta kur kishte përfunduar ndërtimi i termocentralit Kosova B, parasheh ndërtimin e baterive akumuluese me kapacitet 200 MWh, në vlerë prej rreth 200 milion dollarësh amerikan.
Mirëpo, kur bëhet fjalë për një teknologji si kjo, dihet se një nga prodhuesit kryesorë të kësaj teknologjie relativisht të re është edhe gjigandi amerikan Tesla.
Dy vite më parë, Tesla ka inauguruar një impiant të ngjashëm në Australi. Në kuadër të këtij projekti, Australia ka vendosur baterinë më të madhe akumuluese në botë.
Duke marrë parasysh se projekti i financuar nga MCC-ja është investim direkt amerikan, mundësitë janë të mëdha që gjigandi Tesla, po ashtu konglomerat amerikan, të realizoj ndërtimin e baterive akumuluese në Kosovë.
Vlen të theksohet se një teknologji e ngjashme në rajon gjendet vetëm në Itali dhe Slloveni, impiante të cilat janë dukshëm më të vogla në krahasimin me projektin e paraparë nga Qeveri e Kosovës, i cili pritet të ketë kapacitetin më të madh në Evropë.
Po ashtu, shtetet e Ballkanit dhe disa shtete të BE-së si Rumani, Bullgari, dhe Greqia, nuk e posedojnë ende këtë teknologji inovative.