Ambasada e Kosovës në Gjermani jep informacione të rëndësishme për procesin e konvertimit të patentë shoferëve

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka njoftuar se pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për njohjen e patentë shoferëve, tanimë ka filluar procesi i konvertimit të patentë shoferëve në të gjitha landet gjermane.

Më anë të një njoftimi në facebook të ambasades thuhet se me qëllim të përshpejtimit të procesit të verifikimit të patentë shoferëve, gjashtë misionet konsullore të Republikës së Kosovës në Gjermani (përkatësisht në Berlin, në Düsseldorf, në Frankfurt, në Hamburg, në München dhe në Stuttgart), kanë filluar verifikimin e patentë shoferëve për shtetasit e Kosovës, konkretisht lëshimin e vërtetimeve përmes së cilëve vërtetohet marrja e patentë shoferëve në procedurë të rregullt në Kosovë.

Ata thonë se në rast se qytetarët aplikojnë për konvertim të patentë shoferit tek institucionet kompetente gjermane (Führerscheinstelle), atëherë ky verifikim bëhet përmes komunikimit zyrtar (me e-mail) ndërmjet dy institucioneve kompetente (Führerscheinstelle dhe misionit konsullor).

Reklama e sponzorizuar

Sipas tyre, këtë shërbim misionet konsullore e kryejnë pa pagesë.

Ndërsa, siç thuhet në njoftim qytetarët të cilët dëshirojnë të pajisen paraprakisht me vërtetim, atëherë misionet konsullore të Republikës së Kosovës do të lëshojnë një vërtetim të tillë, përmes të cilit dëshmohet marrja e patentë shoferit në procedurë të rregullt në Kosovë.

“Për këtë shërbim duhet paraprakisht të bëni termin në misionet konsullore. Lëshimi i këtij vërtetimi do të kushtojë 20 euro”, përfundon njoftimi./Buletini Ekonomik/