Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit A. E, zyrtar në komunën e Kllokotit.
I akuzuari në muajin janar të vitit 2018, në fshatin Pozhoran, Komuna e Vitisë, si person zyrtar – këshilltar i Kryetarit të Komunës së Kllokotit, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe Komunën e Kllokotit dhe shkaktimit të dëmit operatorit ekonomik “NTP Blina”, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, në atë mënyrë që shkon tek operatori në fjalë dhe kërkon inventar për objektin e Komunës së Kllokotit dhe me të njëjtin arrin marrëveshje verbale dhe i premton se me vonë do të zbatohen procedurat ligjore dhe do të bëhet pagesa nga komuna, të cilin inventar e vendos në objektin e ri të komunës, ndërsa komuna nuk e kryen obligimin pasi që nuk janë përfillur procedurat e prokurimit dhe kjo pagesë nuk është kryer, me këtë i është shkaktuar dëm operatorit ekonomik në vlerë 4.460 Euro.
Me këto veprime, i akuzuari A. E. ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve të akuzuarin e shpall fajtor dhe e dënon në kohëzgjatje prej 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë burgim.
Me propozim të akuzuarit, dënimi i shqiptuar me burgim i zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 5.000 (pesë mijë) Euro.
Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit.