Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka deklaruar Kosova në Evropë perceptohet ashtu siç nuk është në realitet, ndaj sipas saj, ky është tregues se “duhet të kemi komunikim më shumë me industritë evropiane”.
Këtë deklaratë Hajdari e ka bërë të enjten në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri, i cili po mbahet në Prishtinë e ku 16 kompani nga të dyja shtetet nga dhjetë sektorë të ndryshëm promovojnë bizneset e tyre.
Hajdari para investitorëve austriakë ka thënë se plani i Qeverisë Kurti është ambicioz për të përmirësuar politikat dhe për identifikuar potencialin ekonomik.
“Dua të ju siguroj për mundësitë që ofron Kosova për kompanitë austriake. Nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, si qeveri jemi të përkushtuar të përmirësojmë klimën e biznesit dhe investimeve dhe kjo është njohur edhe nga FMN-ja dhe Banka Botërore”, është shprehur ajo.
“Sipas një raporti, Kosova është përmirësuar për 17 vende në indeksin e korrupsionit dhe në raportet e Transparency International. Dhe kjo është e rrallë për një vend që të rritet kaq shpejtë por kjo tregon përkushtimin e qeverisë ton për zero tolerancë ndaj korrupsionit”, ka shtuar tutje.
Mes tjerash, ministrja Hajdari ka theksuar se ajo që ofron Kosova për kompanitë austriake është fleksibiliteti, pra operimi me pak kosto operative.