Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2022.
Të dhënat e këtij raporti tregojnë se konkretisht deficiti tregtar gjatë kësaj periudhe u rrit për 26 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 405.3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 320.7 milionë eurove në vitin 2021.
Gjatë kësaj kohe eksporti mbulon importin me 17.9 për qind.
Sipas po të njëjtit raport, thuhet se eksporti i mallrave në muajin mars 2022 kishte vlerën 88.6 milionë eurove, që është një rritje prej 43.3 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Nga eksportet e përgjithshme, 28 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, ndërsa 23.7 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 3.2 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 6.4 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani si dhe 5.8 përqind produktet minerale.
Të dhënat poashtu tregojnë se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së në këtë kohë arritën në 25.2 milionë euro, ose rreth 28.5 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 27.2 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (7.2%), Itali (5.5), Austria (3.5%), etj.
Në muajin mars 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 34.1 milionë euro ose 38.6 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.5 për qind. Ndër partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (14.1%), Shqipëria (11.0%), Serbia (7.7), Mali i Zi (4.5%).
Në anën tjetër, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 29.1 milionë euro ose 32.9 për qind, dhe si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (19.3%), dhe Zvicra (6.7%). /Buletini Ekonomik/