Sa kushton mielli i misrit në tregjet e Kosovës?

Mielli i misrit
Mielli i misrit

Mielli i misrit, që në kohë më të hershme, sidomos në vitet ndërmjet dy luftrave botërore, dhe në deceniet e para të pas Luftës së Dytë Botërore, ishte i vetmi ushqim, thuaja se në shumicën e familjeve shqiptare të Kosovës, tani konsumohet shumë më pak dhe përdoret më shumë si ushqim dietal dhe për ndonjë gatim për të pasuruar tryezat solemne.

Mielli i misrit ka qenë primar dhe dominues në shtëpitë dhe tryezat e kosovarëve në kohët e përmendura, thjesht dhe kryekëput për shkak të varfërisë së popullsisë së Kosovës, skamjes ekstreme si rrjedhojë e nëpërkëmbjes institucionale dhe shtetërore të tyre.

Tashmë, mielli i misrit jo që nuk është ushqimi kryesor i kosovarëve, por përdoret fare pak dhe në përqindje thuaja simbolike në krahasim me ushqimet e tjera.

Reklama e sponzorizuar

Sidoqoftë, kohëve të fundit, mbase edhe në disa vitet e fundit, sikur vrehet një ‘ngjallje” e interesimit për miellin e misrit. Plasohet dhe gjendet më shumë nëpër tregjet tona, që do të thotë se ka zënë edhe të konsumohet më shumë ndër qytetarët e vendit. Gjithsesi, kjo ringjallje e interesimit për të konsumuar miellin e misrit është e ndikuar nga rekomandimet e shëndetësisë dhe të nutricionistëve për këtë produkt.

Si të të gjitha produktet ushqimore, edhe çmimi i miellit të misrit, pas valës së madhe të shtrenjtimeve në Kosovë, është ngritur ndjeshëm.

Aktualisht nëpër tregje në Kosovë një kilogram i miellit të misrit kushton 1 euro. Më heret, para 2-3 muajsh një kilogram rëndom ka kushtuar 60-70 centë.

Shitësit e tregjeve në Prishtinë, thonë në kushte anonimiteti për Buletinin Ekonomik se kërkesa për miellin e misrin nuk është edhe aq e madhe, mirëpo është e vazhdueshme.

Sipas tyre, kohë më herët ky lloj i miellit është shitur më shumë, mirëpo tashmë kërkesa për të paksa ka rënë. Ata poashtu tregojnë se nuk furnizohen çdo ditë më të, mirëpo, ai është i qëndrueshëm. Ndërsa,  kur një sasi e vogël mbetet pa u shitur, tregtohet pak më lirë sesa 1 euro.

Mielli i misrit i plasuar në tregjet e Kosovës, vie nga dy lloj mullinsh – mullinjve me ujë, që preferohet më shumë nga qytetarët dhe nga mullinjtë me rrymë.

Shitësit, poashtu tregojnë se ka familje në Kosovë, e sidomos bujq që kanë mullinjë te vegjel me rrymë nëpër shtepitë e tyre dhe e bejnë miellin e misrit për nevoja familiare, dhe  disa prej tyre edhe e tregtojnë për qytetarët.(Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/