Kosova gjatë marsit eksportoi mallra në vlerë prej 88.6 milionë eurove

Eksporti dhe importi
Foto ilustruese, eksport dhe import

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2022.

Të dhënat e këtij raporti tregojnë se konkretisht deficiti tregtar gjatë kësaj periudhe u rrit për 26 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 405.3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 320.7 milionë eurove në vitin 2021.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë kësaj kohe eksporti mbulon importin me 17.9 për qind.

Sipas po të njëjtit raport, thuhet se eksporti i mallrave në muajin mars 2022 kishte vlerën 88.6 milionë eurove, që është një rritje prej 43.3 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Nga eksportet e përgjithshme, 28 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, ndërsa 23.7 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 3.2 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 6.4 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani si dhe 5.8 përqind produktet minerale.

Të dhënat poashtu tregojnë se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së në këtë kohë arritën në 25.2 milionë euro, ose rreth 28.5 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 27.2 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (7.2%), Itali (5.5), Austria (3.5%), etj.

Në muajin mars 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 34.1 milionë euro ose 38.6 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.5 për qind.  Ndër partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (14.1%), Shqipëria (11.0%), Serbia (7.7), Mali i Zi (4.5%).

Në anën tjetër, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 29.1 milionë euro ose 32.9 për qind, dhe si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (19.3%), dhe Zvicra (6.7%). /Buletini Ekonomik/