Kurti: Gjykata komerciale pritet të funksionalizohet brenda dy muajve

Kryeministri Kurti në takim me përfaqësues nga Unioni i bizneseve shqiptare-gjermane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka pritur në takim një delegacion nga Unioni i bizneseve shqiptare-gjermane, të drejtuar nga Nazmi Viqa.

Kryeministri Kurti i falënderoi ata për angazhimin dhe kontributin që kanë dhënë si platformë ekonomike në mërgatë.

Ai me këtë rast foli për mundësitë që Kosova ofron për investime dhe i njoftoi bizneset për themelimin e Gjykatës Komerciale, që siç bëri me dije ai, e njëjta pritet të funksionalizohet brenda dy muajve të ardhshëm.

Reklama e sponzorizuar

Kurti tha se funksionalizimi i kësaj gjykate, do të rrisë sigurinë juridike për bizneset vendore dhe investimet e huaja.

Duke u shprehur interesimin për të krijuar një partneritet të ngushtë me mërgatën, Kurti u shpreh se mirëpret gjithë ndërmarrësit nga mërgata që bashkë edhe me partnerët e tyre ndërkombëtarë të investojnë në Kosovë, me prioritet në prodhim të produkteve.

Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për brengat dhe sfidat që kanë bizneset.