Çdo prolongim i afatit optimal agroteknik të mbjelljeve, kërkon shtimin e sasisë së repromaterialeve (farërave dhe plehërave), në varësi të afatit të pavolitshëm që ka mbretëruar në mos zbatueshmerinë e mbjelljeve me kohë. Për të gjitha rajonet prodhuese dhe për të gjithë fermerët që nuk i kanë kryer mbjelljet në afat optimal agoteknik, apo për arësye organizative, teknike etj., janë vonuar në realizimin e mbjelljeve pranverore (7 – 14 ditë), në rastet e tilla sasitë e repromaterialeve duhet të shtohen për 10-15 %…
Blendrita Avdiu
Fushta e mbjelljeve pranverore, në këto ditët e fundit të prillit, është në vrullin më të madh anembanë Kosovës. Fermerët kosovarë, po shfrytëzojnë me përparësi ditët e ngrohta dhe lagshtinë e mjaftueshme në arat e tyre, për t’i përmbyllur sa më suksesshëm këto mbjellje dhe për të arritur objektivat për sa më shumë sipërfaqe të mbjella me kultura pranverore, sidomos me misër.
Megjithë përkushtimin dhe angazhimin e fermerëve tanë, sipas njohësve të zhvillimeve në agrarian e Kosovës dhe ekspertëve të bujqësisë, ata po përballen me vështirësi nga më të ndryshme në ngastrat e tyre kultivuese, gjatë realizimit të mbjelljeve pranverore në përgjithësi, apo mbjelljeve të misrit në veçanti. Kjo për faktin e çmimeve të larta të inputeve bujqësore (farërave cilësore, plehërave minerale apo preparateve kimike për trajtimin e bimëve të arave).
Në këtë këndvështrim, thotë për Buletinin Ekonomik Imer Rusinovci, ekspertë e bujqësisë, paknaqësitë, demotivimet dhe dekurajimet e fermerëve janë të shprehura, pavarësisht vullnetit të tyre dhe vitit të vështirë që po përballemi, për sigurimin e ushqimit nga konditat tona agro-ekologjike. Sipas profesor Rusinovcit, javë më parë pjesa ma e madhe e sipërfaqeve kultivuese janë mbjellë me patate, ndërsa mbjelljet e misrit përkohësisht i ndaluan oscilimet temperaturale, të cilat në javën e kaluar ishin nën minimumin biologjik temperatural, të cilin e kërkojnë farërat e misrit, kur vendosen për mbjellje.
Rusinovci ka rekomanduar bujqit e Kosovës që mbjelljet më sipërfaqe të mëdha kultivuese që janë planifikuar të mbillen me misër, të vazhdojnë nga sot deri në përfundim të prillit, përkatësisht fillim të majit për zonat që karakterizohen me lartësi të mëdha mbidetare.
Për mbjellje të misrit, siç thotë ai, fermerët duhet të kenë parasysh shumë krirtere prej të cilave po i veçoj: lartësinë mbidetare të rajonit kultivues dhe gjatësinë e periudhës vegjetative të hibridit që mbillet. Këto dy kriteret qenësore duhet të jenë mirë të harmonizuara për rajonizimin e misrit në secilin rajon prodhues.
“Sa ma e lartë të jetë lartësia mbidetare, mbjelljet e misrit duhet të jenë më të vonshme në raport me ekspozicionet e rrafshta të terreneve në rajonet me lartësi më të ulët mbidetare. Për zonat me lartësi mbidetare 300-500 m, mbjelljet e misrit rekomandoj të kryhen deri në fund të prillit, ndërsa në zonat me lartësi mbi 500 m të njëjtat duhet të kryhen në dekadën e parë të muajit maj”, ka saktësuar profesor Rusinovci.
“E kam thënë më parë dhe po e ripërsëris, në këtë vit mbjellje pranverore duhet të kemi sa më shumë dhe pikësynim i ynë është që të mos mbetet asnjë ngastër djerrë, sepse pasiguria ushqimore po na troket në dyer vërehet edhe nga ç’rregullimet e mëdha të çmimeve të ushqimeve në nivel global. Sytë janë me pa dhe veshët janë me ndëgjua për të gjithë, meqenëse “zilet po bien” si nga ç’rregullimet klimatike, pasojat e pandemisë, çmimet e larta të naftës, plehërave minerale, e mund të jenë akoma edhe më të ç’rregulluara edhe nga pasojat e luftës që shpërtheu në Evropë, për pasigurinë ushqimore. Andaj, të gjithë së bashku duhet t’u jemi në shërbim fermerëve, qoftë me shërbime këshillimore nga ekipet në terren apo edhe me përkrahje qeveritare përmes stimulimeve të duhura nga dikasteri përkatës” ka thënë ai dje për Buletinin Ekonomik.
Megjithatë, sipas tij, vetëdijsimi duhet të jetë në nivelin e duhur dhe përkrahjet, duhet të shkojnë vetëm në destinacionet e duhura me objektiva të qarta intensifikuese drejtë ngritjes së Bruto Prodhimit Vendor, për të redukuar kontigjentet e mëdha të importit që na kanë vërshuar.
Së dyti, siç thotë ai, ndërrimet klimatike që po mbretërojnë në nivel global, i ç‘rregullojnë itineraret agronomike për zbatueshmërinë e mbjelljeve pranverore, konformë afateve optimale. Lidhur me këtë, shërbimet ekstensioniste (këshillimore) në terren duhet të japin kontributin e tyre për bartjen e transfereve të reja teknologjike (agroteknike) tek fermerët.
Çdo prolongim i afatit optimal agroteknik të mbjelljeve, kërkon shtimin e sasisë së repromaterialeve (farërave dhe plehërave), në varësi të afatit të pavolitshëm që ka mbretëruar në mos zbatueshmerinë e mbjelljeve me kohë. Për të gjitha rajonet prodhuese dhe për të gjithë fermerët që nuk i kanë kryer mbjelljet në afat optimal agoteknik, apo për arësye organizative, teknike etj., janë vonuar në realizimin e mbjelljeve pranverore (7 – 14 ditë), në rastet e tilla sasitë e repromaterialeve duhet të shtohen për 10-15 %, për siguri të mbirjeve sa ma të plota (uniforme) dhe krijimit të hapësirave të duhura vegjetative për bimët pranverore.
Imer Rusinovci konsideron se shumë herë i kemi dhenë provimet në kushte të vështira që kemi kaluar, andaj ka rekomanduarqë edhe ky vit jo i lehtë “të na gjejë në terren në vazhdimësi në ndihmë të fermerëve”. Krahas përkushtimit dhe entuziazmit të duhur që kanë fermerët meritorë, nuk duhet t’i lemë nën mëshiren e shpresës së humanitetit, sepse të njëjtit, këtë vit kanë nevojë për përkrahje institucionale si në aspektin profesional ashtu edhe atë stimulus, thotë Rusinovci./Buletini Ekonomik/