Para e madhe janë 100 milionë euro për Kosovën ‘e varfër ‘

Mehmet Gjata

Vendimi qeveritar për ndihmën 100 milionëshe, që jo pak “kundërmon” erë populiste, dhe që u ndërmorrë nga presioni i madh i kërkesave poashtu populiste, deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, është ad-hoc zgjidhje, paksa e ngutshme dhe që ka të mirat dhe mangësitë evidente të saj. Ka shumë gjasë dhe mundësi që do të dilte më i favorshëm dhe më i efektshëm investimi i 100 milionë eurove në ndonjë projekt që do të kishte efekte të mëdha stabilizuese dhe ekonomike afatshkurtëra dhe afatgjata për vendin.

Mehmet GJATA

Tani, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, dhe të bërit publik të këtij vendimi, se për muajin prill pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve në Kosovë, do t’iu ndahen nga 100 euro, gjegjësisht për të përmbushur obligimet e këtij vendimi, shteti i Kosovës ka bë “kurban” 100 milionë euro, kanë dalë zëra, madje jo pak sish që përkrahin këtë vendim qeveritar.

Reklama e sponzorizuar

Pati edhe shumë zëra, mbase sa përkrahësit dhe madje më shumë, që e kundërshtuan atë. Çuditërisht, kundërshtarët më të ashpër, më agresiv dhe më të zëshëm dolën të jenë mu ata persona e subjekte, që bënë presion të madh në qeverinë e Kosovës, për të shpërndarë ndonjë ndihmë financiare, gjoja për t’i zbutur pasojat e krizës së rëndë sociale që ka kapluar vendin nga ngritja e çmimeve si pasojë e pandemisë dhe shpërthimit të luftës ruso-ukrainase.

Opozita dhe përfaqësuesit e sindikatave që u shquan me ditë të tëra duke kërkuar me ngulmë këto ndihma, tani pa humbur kohë zunë të gjuajnë “gurë e dru” mbi Kurtin, duke e akuzuar me leksik boll të rëndë për mungesë politikash sociale. Prandaj, s’do mend se del të jetë goxha i diskutueshëm dhe i kontestueshëm, bie fjala qëndrimi i kryesindikalistëve të vendit, të cilët ende pa u shpërfaqë tërësisht vendimi qeveritar, dolën me kritika dhe kërkesa të reja për para shtesë, thuaja se Kosova paska fonde të pashterrshme financiare, për të plotësuar kërkesat sa herë atyre u teket të “lypin” ndihma shtesë financiare.

Rreth efekteve të këtyre ndihmave edhe pjesëtarë të shoqërisë civile kanë qenë të ndarë në mendime. Ç’është e vërteta, ky vendim qeveritar, që jo pak “kundërmon” erë populiste, dhe që u ndërmorrë nga presioni i madh i kërkesave poashtu populiste, deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, është ad-hoc zgjidhje, paksa i ngutshëm dhe ka të mirat dhe mangësitë evidente të tij.

Prandaj, para ngutisë së kryesindikalistëve (“Sindikatat nuk mund të mashtrohen me 100 euro”, ishte një nga deklaratat e një kryesindikalisti), që më shumë po ngarendin në këtë kohë krize për t’u bë protagonistë të politizimit të skajshëm të aktualitetit tonë, se sa që kanë hallin e vërtetë për gjendjen sociale të punëtorëve që përfaqësojnë, dhe para ngulmimit të partive opozitare dhe liderëve të tyre për të mohuar rëndësinë e këtyre ndihmave, por edhe para miratimit nga mazhoranca “an bllok” të kësaj mase ndihmaçare, është e udhës të analizohet më detajisht, më me gjakftohësi dhe më gjithanshëm vendimi dhe ndikimi real i tij në gjendjen sociale të rënduar të popullsisë kosovare.

Duhen fakte konkrete për t’u kritikuar një vendim i tillë në këtë kohë krize, por duhen argumente për ta miratuar shpenzimin e një të dhjetës së buxhetit të vendit kaq shpejtë dhe kaq lehtësisht. Janë realiste deklarimet e disa analistëve që u deklaruan se për ta është goxha e pakuptueshme “të përfitojnë njëjtë edhe ai që ka pagën 200 euro, edhe ai që ka pagën 900 euro”, dhe ata që shprehën mospajtimin e tyre që në ndihmë “nuk janë përfshirë të papunët dhe punëtorët që punojnë në bujqësi”, sikundër që nuk janë të përfshirë të gjitha kategoritë e punëtorëve, e sidomos ata pa kontrata pune, që në sektorin privat vlerësohet të jenë rreth 50% syresh.”

Drejtori i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, ndoshta me të drejtë, ku me anë të një shkrimi në Facebook ka shtruar pyetjen se “nëse Qeveria ka për synim t’i ndihmojë grupet e cënuara shoqërore për shkak të çmimeve, atëherë përse të futen me një thes edhe ata që kanë paga të larta”.

Sipas tij, nuk zmbrapsen kërkesat populliste për paga e pensione, duke marr vendime po aq populliste.

“Nëse Qeveria ka synim t’iu ndihmojë grupeve të cënuara shoqërore për shkak të çmimeve, përse me i fut të gjithë me një thes? Pse me i marr 100 euro si ata 2 për qind e punëtorëve që kanë paga shumë të larta, si ata që luftojnë për rritje të pagës minimale? Përse me marr subvencionim të njëjtë si studentët që banojnë në konvikte, si studentët që shkojnë në ligjërata me vetura supër të shtrenjta?”, ka shkruar ai.

Ma thotë mendja se Agron Demi, e ka shtruar fortë mirë çështjen në fund të statusit të tij, kur shtron pyetjen: “Përse këto para që do ju ndahen në prill të gjithëve, nuk shkojnë në projekte zhvillimore që mund të garantojnë punësim të qëndrueshëm …”

Dhe, po të analizohen deri në detajin më të vogël efektet e këtyre ndihmave në mënyrën se si do t’u shpërndahen kosovarëve dhe si rëndom konsumohen paratë e ndihmave dhe efektet e ndërtimit me këto para të ndonjë projekti që po aq sa buka i nevojitet Kosovës, ka shumë gjasë dhe mundësi që del më i favorshëm dhe më i efektshëm investimi në ndonjë projekt që nuk do të tejkalonte këtë shumë parash, por që në anën tjetër, do të kishte efekte të mëdha ekonomike afatgjata.

Paratë e shpërndara si ndihma në formën siç ka marrë vendimin qeveria, dihet që do të shpenzohen për nevoja më urgjente të familjeve të varfëra dhe për ndonjë vikend relaksues në bregdetin shqiptar, apo në atë të Malit të Zi, nga familjet e pasura kosovare, përfituese të njëjta të ndihmës qeveritare. Dhe si të tilla, do të shpenzohen fare shpejtë dhe pa ndonjë efekt të vërejtshëm.

Fundja, aktualisht, në këtë kohë të shfrenimit të çmimeve, me 100 euro edhe nuk mund të plotësosh ndonjë nevojë shumë të madhe familjare dhe më afatgjate.

Ndërkohë që efektet e ndërtimit të një projekti tepër të nevojshëm për vendin, siç është ta zëmë, një temocentral solar, në bazë të diellit dhe të kapacitetit imponues dhe që nuk do të tejkalonte 100 milionëshin me investime në asnjë mënyrë, do të ishin edhe urgjente edhe afatgjata dhe me ndikim shumë të favorshëm në stabilizimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, në këtë kohë të mungesës së madhe të rrymës.

Të jemi më konkret, këto ditë është paralajmëruar publikisht nga qeveritarët e vendit dhe nga vetë kryeministri Albin Kurti, pas një takimi me një delegacion nga Gjermania, se po bisedohet seriozisht realizimi i një projekti të madh solar (kapacitet energjetik në bazë të diellit me fuqi të instaluar prej 70 megavatësh) me emërtimin “Solar4Kosova”.

Siç u tha, projekti “Solar4Kosovo’’ që do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë, ka për synim që krahas prodhimit të energjisë elektrike për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, t’i bashkangjitet edhe sistemit të ngrohjes qendrore aktuale të Prishtinës, duke i lidhur kështu lagjet e reja me ato që tashmë janë pjesë e rrjetit.

Sipas zyrtarëve, kapaciteti i shtuar që synon shpërndarjen e nxehtësisë nga sistemi termik diellor në rrjetin e ngrohjes qendrore në Termokos, do të furnizojë 12 mijë familje ose 60 mijë qytetarë me ngrohje termike në qytetin e Prishtinës dhe në këtë mënyrë do ta reduktojë goxha shumë kërkesën për energji elektrike për qëllime të ngrohjes.

U theksua nga zyrtarët se “Solar4Kosovo” gjithashtu do ta reduktojë edhe emetimin e dioksidit të karbonit për 40.000 tonë në vit, si dhe do të kontribuojë në diversifikim të miksit të gjenerimit të energjisë së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përmes komponentës së fuqisë fotovoltaike.

Dhe i tëri ky projekt do të kushtojë 64 milionë euro. Prandaj, shtrohet pyetja, pse kjo pako ndihmash ‘ad hoc’ dhe pa ndonjë “gjurmë” për t’u mbajtur gjatë mend, mos të orientohet në ndërtimin e një termocentrali tjetër solar, madje dhe me kapacitet më të madh se “Solar4Kosova”, sepse është fjala për 100 milionë euro që janë gati dyfishi i çmimit të “Solar4Kosova”.

Me këto para, poashtu, Kosova fare lehtë do të ndërtonte një park tjetër në bazë të energjisë me erë, përafërsisht me kapacitet të përafërt me atë të Parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, inaugurimi i të cilit muaj më parë na bëri të gjithëve kosovarëve të krenohemi me të. Me këto para, fare lehtësisht, do të rindërtohej, ose do të bëhej “fingo” i ri, me të gjitha standardet dhe më tërë parametrat perëndimor për mbrojtjen e ambientit, njëri nga 3 blloqet e Kosovës A (qoftë A3, A4, apo A5-shi) të planifikuara më herët të rindërtohen me gjithsej 200 milionë euro.

100 milionë euro janë para e madhe dhe prandaj janë të panumërta objektet që do të ndërtoheshin me këto para dhe që Kosova do të përfitonte shumë nga pasja e sa më shumë megavatëve të rrymës, nga mbrojtja e ambientit, rritja e numrit të të punësuarëve e këshu me radhë. Dhe këto janë disa nga arsyet që para se të vlerësohet dhe të gjykohet apriori pakoja e fundit qeveritare e ndihmave, të kihen të gjitha faktet e përmendura në këtë tekst modest parasysh.

Dhe krejt në fund, kërkesat e kryesindikalistëve dhe jo pak njerzëve pasanikë të Kosovës për para të shtetit dhe për interesa më shumë personale se sa për ata nevojtarët e vërtetë, nuk do të ndalen asnjëherë. Prandaj, shteti dhe pushteti, nuk është edhe aq e udhës që të bien në ndikimin e kërkesave për para, sa herë që t’u teket atyre. /Buletini Ekonomik/