PDK sot dorëzon kallëzim penal ndaj Bordit të ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë

Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë sot kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për tarifat e shtrenjta.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, kallëzimi penal ndaj tyre do të dorëzohet për mos zbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shtyrjen, përkatësisht pezullimin e zbatimit të vendimit për këto tarifa.

“Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, do të dorëzojnë nesër (e premte), në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për mos zbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shtyrjen, përkatësisht pezullimin e zbatimit të vendimit nr. 077/22 të ZRRE-së për shtrenjtimin energjisë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji duket se se ka në plan të pezullojë tarifat e shtrenjta, as pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Nga ky institucion e kanë konfirmuar se e kanë pranuar aktvendimin e Themelores, derisa kanë paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit, raporton Express.

Petrit Pepaj nga ZRRE i kanë thënë Gazetës Express se ky institucion do të parashtrojë ankesë për këtë vendim brenda afatit ligjor në Apel.

“ZRRE-ja, ka pranuar aktvendimin e gjykatës dhe mbështetur në dispozitat ligjore të nenit 23 par. 2 Nenin 49 par. 1 dhe 2 lidhur me Nenin 63 të LKA-së, lidhur me Nenin 176 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (Ligjin Nr. 03/L – 006), do të parashtrojë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit”, ka thënë Pepaj.

Sipas tij, pas ankesës së tyre, aktvendimi i Themelores s’do të bëhet i formës së prerë dhe praktikisht s’është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm.

“Përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi  i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. Kjo është e definuar me Nenin 66 të Ligjit për Konfliktet Administrative ku përcaktohet se : “Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohet atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”. Në këtë kuptim, ne besojmë se ky Vendim bëhet i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm, atëherë kur vendoset në shkallën e dytë, dhe deri në vendimin e shkallës së dytë akti i kontestuar, përkatësisht Vendimi i Tarifave mbetet në fuqi”, ka deklaruar Pepaj për Express.

Pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës ndaj ZRRE’së, Gjykata Themelore në Prishtinë doli me aktvendim për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit të këtij institucioni për shtrenjtimin e rrymës.

Në aktvendimin e siguruar nga Express thuhet se “shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar më datë 16.02.2022 i të apditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses”.