Bie për 18 për qind prodhimi i energjisë elektrike në termocentralet e Kosovës

Termocentralet e KEK-ut gjatë muajit shtator të këtij viti kanë prodhuar 18.07 për qind më pak energji elektrike në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Energjisë” për muajin shtator 2023 me të dhëna për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.

Sipas këtyre statistikave, gjatë muajit shtator të këtij viti janë prodhuar nga Termocentralet 376,902 MHW, kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin prodhuar 460,036 MHW, e që i bie që në periudhën e këtij viti prodhimi ka rënë për 18.07 për qind, raporton Gazeta10.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, gjatë muajit shtator të vitit 2023, energjia elektrike bruto në dispozicion nga prodhimi dhe importi ishte 459.78 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 359.99 GWh ose 14,3% më i madh, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak (Shtator 2022).

Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 10,9%.

Gjithashtu në muajin shtator të këtij viti ishte prodhuar me pak edhe thëngjill në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 6.02 mijë ton, ose 28,6% më pak sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak.