Është miratuar vendimi për ndarjen e 100 eurove për muajin prill për të gjithë punëtorët e sektorit privat dhe atij publik, për të gjithë pensionistët dhe familjet me asistencë sociale, si dhe për studentët.
Ky vendim u votua sot nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.
Mjetet nga 100 euro për secilën kategori të përmendur më sipër, janë pjesë e masave të reja që dalin nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, që sipas Qeverisë, “do t’iu dalin në ndihmë pothuajse të gjitha familjeve në vend”.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha gjatë mbledhjes se pensionistët do t’i marrin këto shtesa që në pensionin e këtij muaji, kurse punonjësit e sektorit publik do t’i marrin me pagat e fillimit të muajit maj.
Edhe familjet nën asistencë sociale pritet t’i marrin këto mjete me pensionin e radhës.
Ndërsa, për punëtorët e sektorit privat dhe studentët, Murati tha se detajet e aplikimit pritet të bëhen publike gjatë ditëve në vazhdim.
Kjo pasi këto dy kategori do t’iu duhet të aplikojnë për të përfituar. Punëtorët e sektorit privat do të duhet të aplikojnë përmes Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), kurse studentët, sipas paralajmërimeve, permes aplikacionit shtetëror e-Kosova. /Buletini Ekonomik/