Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në takimin e 8-të të Komitetit për Energji dhe Klimë (ECC).
Në këtë takim, përveç vendeve kontraktuese të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, kanë marrë pjesë edhe Komisionerja për Energji e Bashkimit Evropian, Kadri Simson, si dhe drejtori i Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski.
Ministrja Rizvanolli në këtë takim ka ndarë perspektivën e Republikës së Kosovës në qasjen ndaj vendosjes së targeteve për vitin 2030 dhe çmimet e larta të energjisë.
Ajo tha se Strategjia e Energjisë 2022 – 2031 e Kosovës është në përputhje me targetet dhe marrëveshjet paraprake të Komunitetit të Energjisë dhe Komisionit Evropian.
Tutje, ministrja Rizvanolli u shpreh se fokusi i Qeverisë së Kosovës në këtë strategji është rruga afatgjate drejt dekarbonizimit deri në vitin 2050.
Sipas saj, ky proces do të ruajë sigurinë e furnizimit me energji elektrike, do të rrisë përballueshmërinë e çmimeve për konsumatorët fundorë, ka për qëllim rritjen e përdorimit të energjisë së pastër, si dhe sigurimin e integrimit në treg rajonal në një mënyrë ekonomikisht të qëndrueshme.