Ndonëse thirrja për aplikim të bujqve për subvencione është paralajmëruar të bëhet gjatë muajit mars, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, subvencionimi për bujqit për këtë vit do të jetë rreth 50 milionë euro.
Sa i përket vonesave për ndarjen e subvencioneve për bujqit, profesori universitar Imer Rusinovci ka thënë se këto mjete janë dashur të ndahen më herët, për shkak se në subvencionim është përfshirë edhe gruri, i cili është mbjellë në vjeshtë.
“Konsideroj se është e vonuar thirrja për aplikim, sepse në atë subvencionim është përfshirë edhe gruri i cili është mbjell në vjeshtë, para së gjithash mendojë me plehërimin, riplehërimin e grurit, e që ajo është dashur të ndodhë në janar, sepse afat optimal agro teknik i dozës së parë të riplehërimit është fundi i shkurtit. Mendoj se për këtë kulturë strategjike metodologjitë kanë qenë të vonuara. Qeveria duhet të ketë krahas kësaj nën prioritet të veçantë edhe intensifikimin e prodhimtarisë bujqësore në kuptimin e përpunimit të saj përkatësisht industrinë agro ushqimore në mënyrë që importi marramendës të zvogëlohet ose të bij në kufijtë normal për kulturat që mund të bëhen në konditat tona agro ekologjike”, tha Rusinovci.
Tutje Rusinovci shtoi se Qeveria e Kosovës duhet t’a ketë në prioritet të veçantë intensifikimin e prodhimtarisë bujqësore.
“Qeveria e Kosovës duhet t’a ketë në prioritet të veçantë intensifikimin e prodhimtarisë bujqësore, me këtë edhe është marr një vendim në Qeverinë e Kosovës nga ministria përkatëse që të ketë një stimul shtesë rreth 50 milionë euro për këtë vit në subvencionimin e shumë kulturave bujqësore dhe regresivin e naftës, dukuri kjo që duhet të përshëndetet. Por si do të zbatohen kriteret dhe çfarë do të jetë metodologjia e zbatueshmërisë së tyre në teren ajo mbetet të shihet sepse bujqësia dallon nga sektorë të tjerë sepse rezultatet maten në fund të periudhës vegjetative”, tha tutje ai.