Si do të furnizohet Kosova me rrymë pa një termocentral të ri me qymyr?

Mehmet Gjata

Si, në ç’mënyrë do të bëhet rritja e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, që është një prej objektivave kryesore të strategjisë së pritshme energjetike 2022-2023, kur dihet qartë se Kosova ka goxha mundësi natyrore të limituara sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të energjisë së rinovueshme?

Mehmet GJATA

Kosova ka mungesë të energjisë elektrike dhe i mungojnë kapacitetet prodhuese, qoftë në bazë të qymyrit, qoftë sosh të rinovueshme për ta përmbushur dhe kompenzuar këtë mungesë. Ky është fakt dhe e kanë të ditur padiskutueshëm kosovarët.

Reklama e sponzorizuar

Por, ministrja më kompetente për politika zhvillimore energjetike, ajo e ekonomisë, Artane Rizvanolli, në paraqitjet e fundit publike, ka paralajmëruar se Strategjia e pritshme energjetike për periudhën 2022-2023, “nuk do të përfshijë ndërtimin e ndonjë termocentrali me qymyr”.

Dhe ministrja edhe kësaj radhe, pos ca premtimeve të rëndomta stereotipe, nuk potencoi asnjë të dhënë të re konkrete se si do ta përballojë Kosova në vitet në vazhdim krizën e ashpër energjetike, që e ka pllakosur vendin edhe gjatë mandatit të ushtrimit të funksionit të saj qeveritar.

Në paraqitjen e fundit publike, ditë më parë, ajo paralajmëroi paksa përmbajtjen e draftit fillestar të strategjisë së ardhshme energjetike të Kosovës për periudhën 2022-2031, i cili, sipas saj, do të bëhet publik pas përafërsisht dy javësh (më herët nga e njëjta ministre është paralajmëruar jo një herë se i njëjti draft do të publikohet në muajin mars).

Sipas Rizvanollit, fokusi kryesor në aspektin e investimeve do të jetë në zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme dhe nuk do të përfshijë ndërtimin e ndonjë termocentrali me qymyr.

Por, ajo vuri në dukje se investime duhet të bëhen edhe në termocentralet e vjetra ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’, ndërsa te A-ja investimet mund të jenë më të vogla në krahasim me ‘Kosovën B’.

Kosova në vitet në vazhdim, pa termocentral të ri në bazë të qymyrit

“Disa gjëra janë të qarta, termocentral të ri me thëngjill nuk do të ketë”, tha ajo po atë ditë në një emision televiziv.

“Burimet e ripërtëritshme të energjisë do të kenë rol kyç, investimet në ‘Kosovën B’ termocentralin 40 vjeçar duhet të ndodhin. Ndërsa, sa i përket çështjeve të tjera janë çështje të cilat do t’i diskutojmë së shpejti”, bëri të ditur ajo.

“Ka mundësi që kjo të jetë pjesë e zgjidhjes, jo krejt Kosova A, por një njësi ose dy. Mirëpo, kjo nuk është e vendosur, çfarë është me rendësi të thuhet është se për herë të parë kemi një strategji, e cila shikon përpara drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë deri në vitin 2050”, theksoi Rizvanolli.

“Rritja e burimeve të ripërtëritshme të energjisë është një prej objektivave kryesore, rritja e efiçiencës që do të na mundësojë në fakt të kemi më pak nevojë për investime të shtrenjta, dhe çmime më të larta, është një objektiv kryesor tjetër”, nënvizoi ajo.

Më shumë:

Shtyhet për të satën herë projekti për ndërrimin e elektrofiltrave në “Kosovën B”

Por, ajo dhe askush tjetër nga kabineti aktual qeveritar nuk e tha se si dhe në ç’mënyrë do të bëhet rritja e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, që qenka një prej objektivave kryesore të strategjisë së pritshme, kur dihet qartë se Kosova ka goxha mundësi natyrore të limituara sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme.

Ka vite e vite që njerëz kompetentë dhe më shumë sish, edhe fare jokompetentë, flasin zhurmshëm për urgjencën për të zëvendësuar kapacitetet tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme.

Ky zhurmim jo rrallë vie nga njerëzit që nuk e kanë idenë për mundësitë reale të Kosovës për të pasur energji të rinovueshme.

Potencialet e limituara të Kosovës për energji të rinovueshme

Dhe duhet thënë troç dhe konkretisht që Kosova nuk ka shumë potenciale për energji të ripërtëritshme. Kemi fare pak ujë dhe pak lumenj. Pra, nuk ka shumë mundësi për ndonjë hidrocentral që mund ta përmendësh fuqinë e tij prodhuese dhe domethënien e tij për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe të konsumit tonë në rritje.

Kosova e vogël si territor ka fare pak tokë për të ofruar për ndonjë kapacitet solar, të madh dhe të efektshëm për nga sasia për të kontribuar në përmbushjen e nevojave të konsumit dhe tregut tonë energjetik.

Projekti i paralajmëruar me emërtimin “Solar4Kosova”, nëse vërtetë do të ndodhë, jo vetëm se po vie në momentumin më të përshtatshëm dhe më të favorshëm, kur kriza energjetike është shpërfaqur me tërë ashpërsinë e vet edhe te ne, por edhe kur Kosovës i nevojitet një kapacitet i energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë.

Një nismë e mirë e ndërtimit të kapaciteteve të rinovueshme është bërë e ditur kohë më parë nga drejtori ekzekutiv i KEK-ut, i cili bëri të ditur se KEK-u planifikon të ndërtojë 100 megavatë kapacitete solare në sipërfaqen e deponisë së djerrinës të termocentralit ‘Kosova A’.

Dhe për këtë iniciativë, tashmë nga ana e KEK-ut janë dërguar propozime në Ministrinë e Ekonomisë, ku përveç investimeve për mirëmbajtjen e kapaciteteve ekzistuese, përfshihen edhe projekte për energjinë e ripërtëritshme. Por, tani për tani, kjo nismë ka mbetur vetëm në nivel të iniciativës.

Nga qeveritarët nuk u dëgjua asnjë fjalë rreth kërkesës së KEK-ut për të ndërtuar një park solar 100 megavatësh në një nga ish-deponitë e ‘Kosovës A’.

Urgjenca për të inicuar projekte të energjisë së rinovueshme

Sidoqoftë, tashmë, pas shpalljes si fakt të kryer se më nuk do të ketë termocentral të ri në bazë të qymyrit, për Kosovën bëhet urgjencë gjetja e alternativave për zëvendësuar sa më shumë kapacitetet tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme. Dhe, shteti e pushteti i Kosovës, prandaj duhet shpejtuar, me urgjencë duhet shkurtuar procedurat e stërgjatura të kërkuara deri më tash, për të nisur një kapacitet elektroenergjetik alternativ, qoftë solar, apo në bazë të erës.

Sepse, tani për tani Kosova ka fare pak, thuaja sasi simbolike të energjisë së ripërtëritshme, ose gjithsej diçka mbi 110 megavat-orë energji efektive.

Dhe, sipas ekspertëve, sado që Kosova, nuk i ka kushtet ndër më të mirat për të pasur kapacitete efektive dhe potente të energjisë së rinovueshme, ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit dhe parqe të energjisë me erë për të prodhuar sasi të çmueshme të rrymës për nevojat e veta.

Ekspertët rekomandojnë se në të gjitha sipërfaqet e kulmeve të objekteve komerciale, komunale dhe private te cilat kanë orientimin e duhur lindje-perëndim, apo që janë të rrafshëta, mund të instalohen panele solare.

Kosova ka edhe shumë toka të pashfrytëzueshme që do të mund të shfrytëzoheshin për këtë qëllim, si hapësirat e shumta dhe me sipërfaqe të mëdha brenda kompleksit të KEK-ut.

Lexo edhe këtë:

“Solar4Kosova”, një ogur i mirë për botën energjetike të vendit

Ka shumë hapësirë të lirë në mihjet sipërfaqësore të eksploatura, si dhe hapësirat përgjatë autostradave, të cilat lehtësisht do të ishin mundësi reale për instalimin e paneleve solare. nga dielli, pra energji solare.

Pak më shumë mundësi për energji të rinovueshme kemi te ndërtimi i turbinave me erë. Tashmë janë ndërtuar dy kapacitete që ia vlen të përmenden, ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 MW.

Pas analizave dhe matjeve të shumta, vlerësohet se pos dy kapaciteteve të energjisë me erë, parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë, vende këto të identifikuara për mundësitë për të ndërtuar parqe të reja të energjisë së erës.

Vlerësohet se deri tash në të gjitha këto vende të identifikuara për mundësi ndërtimi të turbinave me erë, mund të arrihen diku rreth 600 megavatë energji elektrika nga era. Por, në rrjet duhet të llogaritet gjysma e më pak e këtyre megavatëve, pasi që te ne këto kapacitete për shkak të mungesës së erërave dhe të natyrës së fryrjes së erës, nuk mund të prodhojnë me fuqinë e instaluar.

Sido që të jetë, Kosovës i duhet energjia elektrike e munguar dhe këtë mungesë të paguar me çmime stratosferike. I duhet, energji elektrike, madje urgjentisht. Prandaj, tani bëhet e diskutueshme heqja dorë kaq vrullshëm dhe mu në pikun e krizës së ashpër nga rindërtimi i ‘Kosovës A’, tre blloqet e saj A3, A4 dhe A5-shi dhe të paralajmëruar qysh para një viti po nga qeveritarët se në rindërtimin e këtyre tri blloqeve, do të investohen diku rreth 200 milionë euro.

Tani, kur pas krizës globale energjetike dhe sidomos pas luftës ruso-ukrainase, kur shumë shtete të botës, edhe sosh të fuqishme, iu rikthyen qymyrit dhe e riaktualizuan këtë resurs natyror të nevojshëm dhe të domosdoshëm për disa vitet e ardhshme, Kosova, sipas ministres së saj, po e zhvleftëson resursin më të bollshëm që ia ka falur natyra.

Fakti që ministrja thotë se te ‘A-ja’ investimet mund të jenë më të vogla në krahasim me ‘Kosova B’ dhe se “pjesë e zgjidhjes, do të jetë jo krejt Kosova A, por një njësi ose dy”, flet se tashmë nuk duhet pritur shumë nga ripërtërirja e kapaciteteve të ‘Kosovës A’.

Rindërtimi i saj i promovuar nga qeveria aktuale fillimisht, pastaj i heshtur fare dhe tani të përmendura një apo dy njësi si mundësi për t’u rindërtuar pjesërisht, flet se gjasat për të pritur ndonjë rikonstruktim të tërësishëm të A-së janë fare të vogla, ose të paqena.

Kjo është gjendja aktuale sa i përket kapaciteteve prodhuese dhe potencialeve për të prodhuar më shumë energji nga qymyri dhe energji të rinovueshme edhe në ditën ndërkombëtare të sivjetshme të energjisë.

Duket kjo gjendje goxha e zymtë, e vështirë dhe e mjegulltë. Por, gjithsesi, nuk është e patejkalueshme.

Në radhë të parë duhet ta kemi të qartë çka po duam. Duhet ta themi se Kosova nuk është në gjendje t’i bëjë ballë presionit ndërkombëtar për të hequr dorë definitivisht nga shfrytëzimi i thëngjillit, që e kemi me bollëk te dera dhe në sipërfaqe të tokës. Pastaj, me nguti dhe pa humbur asnjë orë, t’i përkushtohet gjetjes së alternativave për ta zbutur mungesën e rrymës. S’ka zgjidhje tjetër.

Dhe në këtë kontekst, nuk duhet pritur pafundësisht për të vendosur për rindërtimin e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme, nëse shteti e ka ndërmend seriozisht ta bëjë këtë dhe për ndërtimin e shterrimin e të gjitha mundësive për të shtuar kapacitete për energji të rinovueshme.

Deri tash është pritur tepër shumë, është dëgjuar më shumë nga jokompetentët dhe profesionistë të paditur për të ngritur kapacitete të reja energjetike, qoftë në bazë të qymyrit, qoftë të energjisë së ripërtëritshme. Tani, nuk ka më kohë për pritje dhe kalkulime.

Shpejt Kosova mund të mbetet edhe më shumë pa energji elektrike, nëse nuk ndërmerret hapi i nevojshëm, i mençur dhe i analizuar detajisht edhe për ruajtjen e ambientit, edhe për koston financiare, edhe për plotësimin e nevojave të konsumit kosovar me energji elektrike. /Buletini Ekonomik/