Hoti: Komisioni Hetimor të qartësojë se ku janë shpenzuar 100 milionë eurot e ndara nga Qeveria për rrymën

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pasi Avokati i Popullit ka konstatuar se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e energjisë elektrike është në kundërshtim me ligjin.

Sipas Hotit, Komisioni Hetimor Parlamentar për energjinë duhet sa më parë të qartësojë kronologjinë e veprimeve dhe mosveprimeve të të gjitha institucioneve përkatëse.

Po ashtu, ka thënë se duhet të sqarohet se ku janë shpenzuar 100 milionë eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës dhe përse është dashur të rriten tarifat e energjisë.

“Komisioni Hetimor Parlamentar duhet sa më parë të qartësojë për qytetarët këto çështje: kronologjinë e veprimeve dhe mosveprimeve të të gjitha institucioneve përkatëse, ku janë shpenzuar 100 milionë euro dhe përse është dashur të rriten tarifat me gjithë këtë subvencionim gjeneroz të Qeverisë, të shqyrtojë me rigorozitet “pavarësinë” në vendimmarrje të ZRRE-së kur janë përcaktuar tarifat e reja, përse ka ndryshime substanciale në mes të “Raportit konsultativ për shqyrtimin e strukturës tarifore” të datës  17 janar 2022 dhe “Vendimit për tarifat e reja” të datës 8 shkurt 2022, pasi në raportin konsultativ propozohet rritje për 9% të tarifave, ndërkaq në vendimin për tarifa të reja është vendosur krejt tjetër gjë”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

Ndryshe, gjatë javës së kaluar, Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Apeli tha se ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit.