FMN: Çmimet e ushqimeve në botë u rriten në mënyrë shokuese

Çmimi i gazit ka zbritur në nivelet e para nisjes së agresionit rus në Ukrainë. Rritjet e tre muajve të fundit janë “fshirë” dhe pse furnizimet ruse vijojnë të reduktohen. Gazi kushton ende katërfish më shtrenjtë se një vit më parë, por aktualisht kushton 85 euro për MegaWatt për orë.

Gazi në këtë mënyrë ka fshirë çmimin e grumbulluar në tre muaj luftë në Ukrainë duke u kthyer në nivelin fillestar. Nëse në 23 shkurt, një ditë para pushtimit çmimi ishte 87.5 euro për MWh, në 7 mars çmimi shkoi deri në 345 euro.

Nga ana tjetër drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva u shpreh se çmimet e produkteve ushqimore vijojnë të rriten në mënyrë shokuese dhe kjo situatë sipas saj është në qendër të shqetësimeve për perspektivat e zhvillimit të ekonomisë në botë.

Reklama e sponzorizuar

Ajo shtoi se në një moment që çmimet e energjisë elektrike po korrigjohen, ato të produkteve ushqimore vijojnë të rriten nga dita në ditë.

E pranishme në një panel të Forumit Botëror (WEF) për perspektivat ekonomike botërore, ajo këmbënguli në faktin se FMN nuk pret – megjithëse as nuk e përjashton – mundësinë e një recesioni botëror. Georgieva tha se janë ulur perspektivat e rritjes ekonomike në muajin prill për 143 vende.