Komuna e Mitrovicës iu dha subvencione edhe ‘fermerëve’ që nuk kishin tokë as traktorë

Sektori i bujqësisë

Sipas një thirrje publike për subvencionimin e fermerëve me makina bujqësore, të shpallur nga Komuna e Mitrovicës me 2021, kërkohej që përfituesit përveç banorë të kësaj komune, të kenë sipërfaqe të mjaftueshme të tokës dhe të posedojnë traktorë.

Mirëpo në disa raste, Auditori i Përgjithshëm, gjeti se suvencione përfituan edhe personat që nuk kishin as tokë e as traktorë.

“Nga testimi i tre aplikuesve fitues për thirrjen publike për subvencionimin e fermerëve me Makina Bujqësore ku totali i subvencionimit sipas kësaj thirrje ishte 31,377 euro, asnjëri nga këta aplikues nuk kishte ofruar dëshmi për posedim të traktorit siç kërkohej me kritere”, thuhej në raportin e Auditorit për komunën jugore.

Reklama e sponzorizuar

Auditori gjeti se komisioni i vlerësimit në formularin e poentimit kishte përdorur kritere të cilat nuk kanë qenë të përfshira në thirrjen publike.

“Si pasojë, janë fituar pikë dhe janë vlerësuar përfituesit, si: kategoritë e familjeve me jetimë, familjet e dëshmorëve, martirëve, veteranëve; familjet me distancë të largët; familjet me anëtarë të papunë; dhe familjet me numër të fëmijëve të caktuar”.

Ndërsa në subvencionimin e fermerëve me kredi bujqësore, ku totali i subvencionimit ishte 22,964 euro, gjatë testimit të aplikacioneve të dy përfituesve, njëri nga aplikuesit nuk kishte përmbushur kriteret për dokumentet e nevojshme, pasi që i mungonte lista poseduese e tokës dhe vërtetimi i tatimit në pronë.

“Kjo ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit të kritereve të shpalljes publike nga ana e komisionit vlerësues”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, subvencionimi i fermerëve duke përdorur kritere të cilat nuk kanë qenë të shpallura në thirrje publike, dëmton transparencën dhe shfaqë dyshime në tërë procesin, pasi që “janë eliminuar nga procesi aplikues potencial, derisa janë shpërblyer fermer jo-meritor kundrejt kritereve të shpallura”. /Buletini Ekonomik/