Banka Qendrore e Rusisë uli të enjten normën bazë të interesit nga 14% në 11%, duke përmendur një reduktim të inflacionit dhe fuqizimin e rublës.
Pas një takimi të jashtëzakonshëm, politikëbërësit vendosën të ulin përsëri normën e interesit me 300 pikë bazë, ulja e tretë që nga rritja e menjëhershme e normës bazë nga 9.5% në 20% pas pushtimit në Ukrainë dhe vendosjes së sanksioneve ndëshkuese nga fuqitë perëndimore. Në atë kohë, Banka Qendrore e Rusisë vendosi gjithashtu masa të rrepta për kontrollin e kapitalit, në një përpjekje për të zbutur ndikimin e sanksioneve dhe për të fuqizuar rublën.
“Të dhënat nga java e fundit tregojnë një ngadalësim të ndjeshëm të ritmeve aktuale të rritjes së çmimeve. Presionet inflacioniste janë reduktuar si rrjedhojë e dinamikës së kursit të këmbimit të rublës, si dhe për shkak të rënies së dukshme të pritshmërive për inflacionin nga ana e familjeve dhe e bizneseve,” tha Banka Qendrore e Rusisë në një deklaratë të enjten.
“Në prill, inflacioni vjetor arriti në 17.8%, megjithatë, bazuar në vlerësimin e 20 majit, ai u reduktua në 17.5%, duke u ulur me një shpejtësi më të madhe se parashikimi i prillit nga Banka e Rusisë.”
Pasi vlera e rublës ra në një nivel rekord, ku 1 dollar amerikan këmbehej me 150 rubla më 7 mars, pak javë pasi trupat ruse filluan pushtimin e tyre të paprecedentë të Ukrainës, masat e kontrollit të kapitalit nga ana e Bankes Qendrore kanë bërë që monedha të fuqizohet duke arritur nivelin më të lartë të dy viteve të fundit. Të martën, 1 dollar këmbehej me 53 rubla.
Rubla u dobësua përsëri kundrejt monedhës së gjelbër të enjten në mëngjes, pasi 1 dollar këmbehej me 60.80 rubla.
Banka Qendrore e Rusisë tha të enjten se vazhdohej të derdheshin fonde në depozitat me afat të caktuar në monedhën rubla, ndërsa kredidhënia vazhdon të mbetet e dobët, duke kufizuar rreziqet inflacioniste.
“Kushtet e jashtme për ekonominë ruse vazhdojnë të jenë sfiduese, duke kufizuar ndjeshëm aktivitetin ekonomik. Risqet e stabilitetit financiar janë reduktuar disi, duke mundësuar lehtësimin e disa prej masave të kontrollit të kapitalit,” shtoi Banka Qendrore e Rusisë.
Banka qendrore tha se vendimet e ardhshme për normat e interesit do të vareshin nga dinamikat aktuale dhe të pritshme të inflacionit, në përputhje me objektivin e saj dhe me përpjekjet për të transformuar ekonominë ruse në planin afatgjatë. Banka e Rusisë kishte paralajmëruar më parë se ekonomia duhet t’i nënshtrohet një “transformimi strukturor në shkallë të gjerë” për të zbutur ndikimin e sanksioneve.
Banka la të hapur mundësinë e reduktimit të mëtejshëm të tarifave në mbledhjet e ardhshme, ku mbledhja e radhës do të mbahet më 10 qershor.
“Sipas parashikimit të Bankës së Rusisë, duke pasur parasysh gjendjen e politikës monetare, inflacioni vjetor do të ulet në 5.0 – 7.0% në vitin 2023 dhe do të rikthehet në nivelin 4% në vitin 2024,” shtoi Banka Qendrore e Rusisë.
William Jackson, kryeekonomist për tregjet në zhvillim në Capital Economics, tha të enjten se duke qenë se kjo ishte ulja e dytë me 300 pikë bazë brenda një muaji, ka pak gjasa që Banka e Rusisë të vazhdojë me këtë ritëm.
Veçanërisht, gjuha e përdorur në njoftimin e ditës së enjte, ku banka shprehet se ajo “e ka të hapur mundësinë” e uljeve të mëtejshme të normave, ndryshon nga deklarata e takimit të muajit prill, ku politikëbërësit thanë se banka “sheh hapësirë” për ulje të normave.
“Megjithatë, pika kryesore është se të ardhurat e larta nga nafta dhe gazi po u japin politikëbërësve një litar ku të mund të kapen, duke i dhënë mundësinë që të heqin masat emergjente ekonomike. Në këto rrethana, është e mundshme që të ketë lehtësime të mëtejshme të masave të kontrollit të kapitalit dhe ulje të tjera të normave të interesit,” tha Jackson./ CNBC