Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike është shqyrtuar raporti i auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020)”, nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).
Që në fillim të diskutimit, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen Financiare, Hykmete Bajrami, ka theksuar se gjetjet nga auditori në KEK janë tepër shqetësuese, pasi ka pasur dhjetëra kontrata të firmosura me negocim të drejtpërdrejtë, si dhe mungesë të transparencës.
Ajo ka renditur një varg gjetjesh nga Auditori, të cilat i shtroi si çështje për diskutim gjatë mbledhjes.
“Ka pasur raste kur ka pasur kërkesa që e kanë limituar konkurrencës si rezultat ka pas ankesa në OSHP, ku më pas KEK ka hy në negocim të drejtpërdrejtë me konstruktorët që fillimisht i ka konsideruar të papërgjegjshëm”, është shprehur ajo.
Sipas saj, deri më tani nuk ka pasur asnjë rast që është shqiptuar dënim.
Gjetjet e përmendura nga Bajrami:
-“Prej mostrës përgjatë tri viteve, është llogaritur që prej shumës 181.5 milionë, diku 18% janë kontrata të negociume”.
-“Në kudër të mostrës ZKA ka vërejt që ka pas mungesë të planifikimit. 34 aktivitete të prokurimit për blerje të kushinetave të formave të ndryshme… kjo është humbje e kohës dhe e resurseve njerëzore”.
-“Ato kushineta nuk janë montuar dhe ju ka skaduar afati i garancisë” “ZKA ka ardh në përfundim që në njërën kontratë 52% të kushinetave kanë qenë të pa montuara… ZKA thotë se edhe pse të gjitha këto info kanë qenë në kartelën e secilës kontratë, informata që si ka pas as Zyra e Prokurimit. Janë blerje të panevojshme”.
Bajrami shtoi tutje se në raportin e ZKA-së është vërejtur se gjatë tri viteve të fundit, 377 mijë euro janë shpenzuar vetëm në promovimin e korporatës në media.
“98 kontrata me media për promovimin e punës së KEK. Sa është e nevojshme që të shpenzohet një shumë e tillë? ”.
Ndërkohë, Nagip Krasniqi, kryeshef ekzekutiv në KEK, ka thënë se tani nuk mund të japë përgjigje për të gjitha gjetjet, pasi që raporti është me një periudhë para se të bëhet ky kryeshef i KEK-ut.
“Shumica e gjetjeve që ZKA i ka listuar, qëndrojnë. Megjithëse, ka gjëra që mund të jenë edhe specifike për natyrën e operimit të KEK-ut, që duhet sikur ka pas neglizhencë. Unë jam në postin tim nga tetori i vitit të kaluar. Nuk mund të jap përgjigje për të gjitha pyetjet”.
Krasniqi tha se dje i kanë dërguar komentet tek ZKA-ja, për të cilën tha se rekomandimet e tyre janë të përgjithësuara.
“Ne do të mundohemi që gjetjet t’i implementojmë, edhe nuk kemi pse të kemi kundërshtime në ato gjetje që qëndrojnë”.
Kurse, Skender Haziri, kryesues i bordit tha se është në këtë pozitë që nga marsi.
“Meqenëse jam i ri sigurisht as unë s’kam info shumë të sakta të procesit të prokurimit që përfshihen në periudhën e auditimit. Ne pajtohemi që ka pasur keqmenaxhim të kontratave. Ka hapësirë për përmirësim. Sidoqoftë, mendoj që disa prej tyre kanë filluar të përmirësohen dhe janë bërë disa ndryshime në 2021. Të gjitha rekomandimet që janë të zbatueshme, KEK-u ka për t’i zbatuar pa kompromis. Ne e mirëpresim përkrahjen e ZKA, sepse rekomandimet e tyre i konsiderojmë si përkrahje”.
Në anën tjetër, ndihmëse-Auditorja e përgjithshme nga ZKA, Mirvete Gashi, tha se ata kanë vetëm një koment nga KEK-u, që e kemi shqyrtuar dhe kemi reflektuar në draft raport, porse pas kësaj s’kanë pranuar më asgjë.
Tutje kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi, vlerësoi se depot në KEK duhet të jenë të centralizuara, në mënyrë që të mos porositen elemente që ekzistojnë realisht nëpër depo.
“Problemi kryesor jo vetëm kushinetave po në përgjithësi, menaxhimi i të gjitha depove në KEK, nuk është bërë në mënyrë të centralizuar. Një njësi porosit diçka, përderisa njësia tjetër mund ta ketë të njëjtën. Problemi që duhet të zgjidhet në radhë të parë është të bëhet centralizini i depove”, tha ai.
“Nuk mund të bëhet kjo me emaila sepse dërgon dikush email e nuk përgjigjet. Mënyra se si bëhet është kjo: kur bëhet centralizimi në sofverin qëndor, askush nuk mund të bëjë porosi diçka që ka në deponi. Ne jemi në proces të implementimit të një moduli që ka të bëjë me menaxhimin qendror të depove”. /Buletini Ekonomik/