Vetëm brenda një viti e gjysmë në Kosovë janë hapur mbi 13 mijë biznese. Kështu i kanë thënë Radio Kosovës zyrtarë nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Sipas një përgjigjeje me email, në Kosovë gjatë vitit 2021 janë regjistruar mbi 10 mijë e 600 biznese të reja, ndërsa në këtë fillim vit janë regjistruar mbi 2600 biznese.
Përveç themelimit të bizneseve të reja, të regjistruara, ka pasur edhe raste të shuarjes së bizneseve. Në vitin 2021 janë mbyllur 1600 biznese, ndërsa në këtë vit, numri i tyre shkon mbi 500, që në total i bie të jenë shuar mbi 2 mijë biznese.
Për këto shifra kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka thënë se mesatarisht në vit mbyllen rreth 2mijë biznese, kurse hapen mbi 8 mijë. Shahini po konsideron se numri kaq i lartë i bizneseve të regjistruara në periudhën e fundit është si rezultat i përfitimit të subvencioneve.
“Çka i ka shty bizneset që në këtë vit të regjistrohen është për hir të subvencioneve. Në vitin 2020 dhe 21 ata kanë tentuar që përmes regjistrimit të bizneseve të përfitojnë ndonjë nga subvencionet. Ne nuk i kemi shënimet e sakta se këto mbi 10 mijë biznese të regjistruar vitin e kaluar, a janë aktivizuar a jo”, tha ai.
Ai tha se sipas statistikave që i ka nxjerrë Aleanca Kosovare e Bizneseve, ka më shumë biznese të shuara.
“Sipas analizave tona në vitin 2021 në Kosovë kanë tentuar të mbyllen mbi 6 mijë biznese rreth 2 mijë biznese kanë hequr dorë nga procedurat e vështira dhe ato janë pasive tashmë, po ashtu mbi 1500 biznese presin ndonjë lëvizje që të mundë të kthehen në treg, ndërsa rreth 500 biznese të tjera nuk ka evidenca se çka ka ndodhur apo a kanë hequr dorë nga biznesi apo format e çregjistrimit”, tha ai.
Sipas Shahinit, duhet hulumtuar arsyet dhe shkaktarët se pse po mbyllen bizneset në Kosove dhe pse po regjistrohen aq shumë të reja, duke e pasur parasysh se investimet e huaja sipas AKB-së, janë mesatarisht të njëjta nga viti në vit.