Dogana arkëtoi mbi 746 milionë euro vetëm nga TVSH-ja në kufi gjatë vitit 2021

Dogana e Kosovës gjatë vitit 2021, ka realizuar të hyra nga pranimet bruto nëpër kufij, në vlerë të gjithsej 1 miliardë e 376 milionë e 704 mijë euro.

Kjo shifër është më e lartë për 320 milionë euro krahasuar me të hyrat e Doganës më 2020, kurse në krahasim me vitin 2019, ka pasur të hyra më të larta për 16 për qind.

Vetëm nga TVSH-ja në kufi, Dogana e Kosovës ka arritur që të arkëtojë 746 milionë e 548 mijë e 380 euro për një vit, derisa një vit më herët të njëjtat ishin në vlerë të vetëm 547 milionë e 645 mijë eurove, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Por, cilat janë kategoritë e tjera ekonomike, nga të cilat Dogana arrin të mbledh më së shumti të hyra vjetore?

Si kategoria e dytë pas asaj të TVSH-së në kufi, renditet kategoria e Akcizës në kufi, nga e cila gjatë vitit 2021, janë mbledhur 501 milionë e 257 mijë euro. Nga kjo kategori, gjatë dy viteve 2020-2019, ka pasur të hyra më të ulëta sesa më 2021, për nga 1 deri mbi 2 milionë euro.

Pas akzicës, vlerën më të lartë të të hyrave të Doganës e realizon tarifa për Doganën në import, që përgjatë vitit 2021 ishin realizuar 124 milionë e mbi 606 mijë euro të hyra.

Ndërsa nga të hyrat pas zhdoganimit, janë mbledhur 2 milionë e 45 mijë euro, kontstatohet në raportin e auditimit për Doganën e Kosovës nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Ndërkohë, nga kundërvajtjetet e dënimeve doganore, është arritur të arkëtohen mbi 816 euro, nga tatimet taksa tjera nga dogana mbi 448 mijë euro, nga banderolat 468 mijë e 600 euro, nga të hyrat nga shitja e mallrave 258 mijë, nga pranimet nga tarifat për vendime gjyqësore/përmbarimore 66 mijë, dhe nga akciza e brendshme mbi 37 mijë euro.

Ndërsa, nga masat mbrojtëse antidamping, Dogana e Kosovës ka arritur që të realizojë të hyra në vlerë të 117 mijë eurove gjatë 2021-s.

Tutje, nga totali i pranimeve bruto prej mbi 1 miliardë e 376 milionë eurove, totali i pranimeve neto ka rënë në 1 miliardë e 37 milionë euro, pas kthimit të akzicës, kthimit të taksave doganore, kthimit të TVSH-së, dhe kthimi i tatimeve të tjera doganore, që ishin në vlerë të 2 milionë e 845 mijë euro. /Buletini Ekonomik/