Dije Rizvanolli është emëruar përfaqësuese e Republikës së Kosovës në Këshillin Administrativ të Bankës Zhvillimore në Këshillin e Evropës.
Vendimi u miratua pas propozimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Pas miratimit të Rizvanollit për këtë pozitë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se shpreson që një vendim i tillë mos të interpretohet si konflikt interesi pasi e njëjta ka qenë studente e tij në Universitetin Amerikan.
“Shpresoj që kjo nuk do të interpretohet si konflikt interesi, pasi Dija ka qenë studente e imja në Universitetin Amerikan”, tha Bislimi duke qeshur, teksa e përfundoi mbledhjen e 78-të të Qeverisë.
Ndërkohë, ministri Murati tha se tani që kemi aplikuar për anëtarësim në KiE, “jemi anëtar në Bankën Zhvillimore të këtij këshilli dhe marrë parasysh që kemi raporte tepër të mira me këtë bankë, do ta vazhdojmë edhe anëtarësimin apo përfaqësuesin në këshillin organizativ të kësaj banke, që të përfaqësohemi sa më mirë”.
“Propozohet të emërohet Dije Rizvanolli, që është vijimësi e pozitës së njëjtë që ka përfaqësuar, është në stafin administrativ civil të ministrisë, është pozita e njëjtë që ka përfaqësues qeverinë edhe më parë, po për shkak të ndryshimeve në staf është ndryshuar edhe personi që duhet emëruar”, shtoi Murati.
Qeveria e Kosovës para pak minutash ka përfunduar mbledhjen e saj, ku mes tjerash, mori vendim që të shtojë sanksionet ndaj Federatës së Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.