Kosova dhe Shqipëria shumë shpejt me Memorandum të ri për sigurimet

Kosova dhe Shqipëria shumë shpejt pritet të miratojnë një Memorandum të ri për sigurimet mes dy vendeve.

Drejtori Ekzekutiv i Byros Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, ka pritur në takim Anila Hoxhën – Drejtore e Përgjithshme e Byrosë Shqiptare të Sigurimit (BSHS), me qëllim të diskutimit lidhur me modalitetin e ripërtëritjes së Memorandumit të Mirëkuptimit mbi njohjen reciproke të certifikatave të sigurimit për të dy vendet, memorandum ky i cili është nënshkruar që në vitin 2006.

Sipas njoftimit, fokus në memorandumin e ri ndërmjet dy byrove, do të jetë rritja e bashkëpunimit në fushën e trajtimit dhe pagesës së dëmeve ndaj palëve të treta të dëmtuara në aksidente të komunikacionit.

Reklama e sponzorizuar

Memorandumi i ri do të nënshkruhet në javët në vijim, në saje të mbylljes së ciklit të nënshkrimit të memorandumeve me të gjitha byrotë e rajonit.

Ky memorandum ka për synim ndërtimin e raporteve sa më të mira me të njëjtat byro, me qëllim të gjetjes së mënyrave alternative për aplikimin e sistemit të kartonit të gjelbër për drejtuesit kosovar të mjeteve motorike. /Buletini Ekonomik/