Nuk kalon Projektligji për Trustin në Komisionin për Buxhet

Në Komisionin për Buxhet, Financa dhe Transfere nuk ka kaluar Projektligji që mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Pesë deputetë të opozitës si anëtarë në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, kanë votuar pro propozimit që i rekomandon Kuvendit miratimin e Projektligjit për tërheqje nga Trusti.

Gjithashtu, pesë deputetë të pozitës kanë votuar kundër ndërkaq deputetja Duda Balje ka abstenuar. Ky votim me vota të barabarta, 5 për dhe 5 kundër, ka pamundësuar kalimin e këtij rekomandimi të Komisionit.

Reklama e sponzorizuar

Armend Muja, kryetar i këtij Komisioni parlamentar, ka hedhur në votim propozimin e parë që i rekomandon Kuvendit miratimin e Projektligjit, por i njëjti nuk ka marrë shumicën e votave të deputetëve.

“Ne e hedhim në votim, propozimin e parë. Komisioni i rekomandon Kuvendit që të miratojë në parim Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale. Pesë vota për, pesë kundër dhe një abstenim, ky rekomandim nuk e ka marrë miratimin e Komisionit”, tha Muja.

Në Kuvend, projektligji do të shqyrtohet pa aprovim të Komisionit apo Qeverisë.