Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka mbajtur një konferencë shtypi me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit për sezonin auditues 2021/22.
Auditorja e Përgjithshme ka prezantuar çështjet kryesore të paraqitura në raportet e auditimit të rregullsisë për Komunat e Gjilanit, të Skenderajt, të Vushtrrisë, të Graçanicës, të Zveçanit, të Shtërpcës, të Mitrovicës së Jugut, të Mitrovicës së Veriut, të Novobërdës dhe Komunën e Kamenicës; si dhe Ministrinë e Ekonomisë.
Gjithashtu çështjet në dy raporte të auditimit të performancës që janë: Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare (Testi PISA) dhe Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018 – 2020).
“Janë dhënë 9 opinione të modifikuara, përkatësisht ‘të kualifikuara’ dhe 2 opinione ‘të modifikuara’”, tha Spanca, raporton Ekonomia Online.
“Përveç opinionit të auditimit ne kemi vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi”.
“Rezultatet tona të auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollit. Parregullsitë janë të përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë të shpenzimeve. Po i përmend vetëm disa. Mospagesa e faturave brenda afatit 30 ditëve, mungesa e planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve, njësi të auditimit të brendshëm të pakompletuara etj.”, deklaroi auditorja Spanca.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në planin vjetor të auditimit për vitin 2021 të dorëzuar në Kuvendin e Republikës të Kosovës ka planifikuar kryerjen e 134 auditimeve në fusha të ndryshme, të cilat në bazë të kornizës ligjore me rastin e përfundimit publikohen për të mundësuar qasje të lirë dhe të pakufizuar të të gjithë të interesuarve.
ZKA dje ka miratuar dhe autorizuar dërgimin e 13 raporteve të auditimit në institucionet përkatëse të audituara.
Spanca tha se auditimet janë kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ajo theksoi se këtë vit kanë marrë masa shtesë për t’i përmbushur detyrimet e reja pas anëtarësimit të ZKA-së në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit.