Në kuadër të auditimit të përformances, Zyra Kombëtare e Auditimit ka audituar disa aktivitete të prokurimit që Korporata Energjetike e Kosovës i ka zhvilluar gjatë viteve 2018-2020.
Gjatë këtyre viteve, përmes prokurimit KEK-u kishte lidhur 1,060 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 181.5 milion euro.
Auditimi ka përfshirë aktivitetet që nga identifikimi i nevojave, zhvillimi i procedurave të prokurimit deri te menaxhimi i zbatimit të kontratës.
Konkluzioni i auditimit është se Korporata Energjetike e Kosovës nuk ishte siguruar që fondet dhe burimet e saj ishin përdorur në mënyrën më ekonomike, duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit.
Po ashtu nuk ishte siguruar që në aktivitetet e veta të prokurimit t’i trajtojë operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe të veprojë në mënyrë transparente. Korporata Energjetike e Kosovës kishte zhvilluar disa aktivitete të prokurimit në atë mënyrë që kishte reduktuar apo eliminuar konkurrencën në mes të operatorëve ekonomik ose kishte diskriminuar në dëm ose në të mirë të një ose më shumë operatorëve ekonomik.
Kjo për shkak se Korporata Energjetike e Kosovës kishte lidhur numër të konsiderueshëm të kontratave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, duke i arsyetuar me situata të emergjencave ekstreme përderisa rrethanat që e kishin krijuar këto situata i atribuohen neglizhencës ose lëshimeve të saj.
Aktivitetet e prokurimit janë realizuar kryesisht me negocim të çmimit me ç’rast Korporata Energjetike e Kosovës, përveç që nuk ka siguruar transparencë në prokurim, ne disa raste ka paguar më shtrenjtë për mallrat dhe shërbimet e blera.









